Site icon Telegrafi

Gjukaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për tenderin 6-milionësh

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, konsideron se një kolegj i Gjykatës Supreme ia ka shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Ai i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij aktvendimi të nxjerrë ditë më parë.

Kolegji prej dy gjyqtarësh të EULEX-it dhe një vendës ka vendosur që ta anulojë një vendim të formës së prerë kundër të cilit nuk mund të ushtrohet ankesë. Vendimi është marrë duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Është urdhëruar që rasti i tenderit të KEK-ut prej 6 milionësh në të cilin është i akuzuar edhe Sami Lushtaku të dërgohet për gjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Por, Gjukaj e ka cilësuar këtë aktvendim si antikushtetues dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme dhe të konstatojë shkeljet e garantuara kushtetuese. /Telegrafi/

Exit mobile version