Egzon Gjuka ishte prej lojtarëve të dalluar të Besa Famgasit që të dielën siguroi titullin e gjashtë rresht në Superligën e Kosovës në hendboll.
Besa e mposhti Kastriotin në Ferizaj me rezultat 26-25 dhe kështu me dy fitore në finale të ‘play-offit’ siguroi titullin e kampionit për këtë edicion. Pejanët kanë festuar fillimisht në Ferizaj e më pas festa ka vazhduar edhe në qendër të Pejës. Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenj në këtë edicion që është mbyllur me festë të Besës.
“Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve të fundit që të mos na ndodhë përsëri gabimi i njëjtë si në gjysmëfinale të Kupës. Kemi analizuar lojën e Kastriotit dhe kemi punuar shumë që t’i ndalim ferizajasit në pikat kryesore të tyre”, ka thënë Gjuka, citon kosovahandball.info.
“Është një sukses mjaft i madh për klubin tonë, pasi që gjashtë vite rresht jemi duke u shpallur kampionë të Kosovës. Besoj që këtë dominim do ta vazhdojmë edhe për shumë vite tjera në Kosovë”, ka deklaruar hendbollisti, i cili luan në pozitën e qendrës.
“Ishin ndeshje shumë të forta në finale dhe në dy takimet rezultati ishte shumë i ngushtë. Ajo që ndikoi që ne të bëhemi kampionë ishte përgatitje fizike dhe psikike më e mirë e ekipit tonë e po ashtu eksperienca e lojtarëve në momentet vendimtare. Falënderoj tifozët pejanë dhe BesaBoys për përkrahjen në ndeshjet finale”, ka vazhduar më tej Gjuka.