Një prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës, Egzon Gjuka, ka kohë që nuk është duke luajtur.
Një lëndim i pësuar më 30 mars të këtij viti e ka lënë jashtë hendbollit anëtarin e Besës së Pejës dhe lojtarin standard të Përfaqësueses së Kosovës.
Këputja e tri ligamenteve të gjurit ka bërë që Gjuka edhe sot të mos jetë pranë shokëve, ndërsa sportit të tij të dashur ai pritet t’i kthehet në vjeshtën e vitit 2017.
“Jam operuar më 1 korrik, ndërsa ndërhyrjen kirurgjike e ka bërë mjeku maqedonas, dr. Boro Iliev”, tha Gjuka për sportali net.
Ndonëse jo në gjendjen më të mirë shëndetësore, Gjuka nuk ka munguar në stërvitje, por që thotë se ato i ka bërë në mënyrë pasive, duke qenë gjithmonë pranë bashkëlojtarëve të tij.
Megjithatë, kthimi i Gjukës nuk pritet të bëhet së shpejti. Kjo për faktin se ai duhet t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje tjetër kirurgjike.
“Me shumë gjasa hendbollit do t’i kthehem në vjeshtën e vitit 2017, pasi duhet të bëj edhe një operim tjetër, ndërsa faza e rehabilitimit do të jetë paksa më e gjatë, dhe se nuk dua të kthehem para së të shërohem plotësisht”, vazhdoi tutje Gjuka, duke shtuar se momentalisht është nën përkujdesjen e fizioterapeutit të Besës, Gent Panduri.
Në fund, Gjuka i është mirënjohës drejtorit të KH Besa, Hamëz Idrizi, i cili, bashkë me anëtarët tjerë të kryesisë së skuadrës pejane i kanë hequr shpenzimet e operacionit.