Telegrafi

Gjuha shqipe nuk figuron në ndërmarrjen e ujësjellësit, drejtori haptazi kundër saj (Video)

Dygjuhësia nuk përdoret as në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”. Madje, drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Aleksandar Atanasov, në faqen e tij në rrjetin Facebook shihet se ka bërë postime nacionaliste dhe tendencioze kundër dygjuhësisë, edhe atë:

“Nuk ka dygjuhësi në Gjevgjeli, Bogdancë, Dojran, Radovish, Novo Sello, Prilep, Kavadar e kështu me radhë. Krenar me liderin. Një është Nikolla Gruevski. OBRM është e përjetshme”

“Psikopati Zaev deklaroi: Kemi aspekt pozitiv me platformën e shqiptarëve”.

“Maqedonia është e maqedonëve”

“ Maqedonas krenar”

I kontaktuar nga Televizioni Shenja, Atanasov fillimisht u justifikua se sot nuk ishte i lirë për të dhënë deklaratë rreth kësaj çështje, ndërsa pasi ju kërkua që të përgjigjej në formë të shkruar ai u përgjigj shumë shumë shkurt :

“Nuk ka deklaratë”

Në anën tjetër, Qemal Musliu, këshilltar i Qytetit të Shkupit nga radhët e BDI-së, i kontaktuar gjithashtu, me shumë neglizhencë kundërshtoi që të flasë për të njëjtën çështje.

Ndërkaq, kontaktuam edhe zëdhënësin e Qytetit të Shkupit, për të pyetur pse në Ndërmarrjen Ujësjellës dhe Kanalizim nuk përdoret dygjuhësia, duke ditur që kjo ndërmarrje është nën kompetencë të Qytetit të Shkupit as ata nuk deshën që të përgjigjen. /Telegrafi/