Site icon Telegrafi

Gjuha shqipe në diasporë – përgjegjësi dhe sfidë

Gjuha, është njeri prej faktorëve me te rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Shkrimtari ynë i madh, Gjergj Fishta, përmes vjershës "Gjuha shqipe" porosit gjithë brezat shqiptarë për lashtësinë pellazge të gjuhës sonë dhe kultivimin e saj brez pas brezi si trashëgimi dhe vlerë për të cilën duhet të kemi kujdes të veçantë.

Në rrethana të emigrimit jashtë vendlindjes, gjuha është faktorë kyç në mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën e tij dhe mos asimilimin. Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit, përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shume faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri.

Por, çfarë po ndodhë me të vërtetë dhe cilat janë këto probleme që pengojnë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?

Problemi i parë: Njëri ndër problemet që ka peshën më të madhe është mungesa e edukimit, arsimimit dhe vetëdijesimit të prindërve shqiptarë për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtare jashtë shtetit. Shumë familje shqiptare emigrante të gjeneratës së parë dhe të dytë janë në dilemë se: a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësimin plotësues apo jo? Njëra prej arsyeve të shpeshta është se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se dygjuhësia është pengesë dhe ngarkesë për ata.

Shumë prindër flasin me fëmijët e tyre në gjuhën e huaj dhe ndihen krenar për këtë, por jo edhe krenarë për gjuhën amë. Por, çfarë thonë hulumtimet të bëra në këtë fushë?

Natyrisht të kundërtën. Fëmijët me dygjuhësi janë më të zgjuar karshi atyre që njohin vetëm një gjuhë. Kur është fjala për fëmijët e gjeneratës së tretë, duhet pranuar se ata kanë harruar të flasin gjuhen e nënës. Ka edhe nga ata qe nuk dëshirojnë që fëmija i tyre të ketë emër shqiptar, por të huaj, sepse do ta ketë më të lehtë integrimin në shoqëri, duke ia humbur identitetin e fëmijës që nga lindja. Prindër të tjerë parapëlqejnë që fëmija i tij të shkojë në ndonjë aktivitet sportiv, sesa në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ka edhe të tillë që nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që do t’i ketë në të ardhmen fëmija i tyre, duke u vënë në pikëpyetje identiteti i tyre.

Në shtetin slloven, mësimi i gjuhës amtare parashihet me ligjin për shkollën fillore (UR. 12/1996). Por, për fat të keq shumë shkolla ankohen se fëmijët shqiptarë dhe prindërit e tyre nuk janë të interesuar ta shfrytëzojnë këtë të drejte që u ofrohet e ju takon me ligj. Nga regjistrimi i fundit i vitit 2002, në Slloveni ishin regjistruar 1434 fëmije shqiptarë të moshës 0-14 vjeç. Por, ky numër duhet të jetë edhe më i madh duke patur parasysh migrimet e shumë familjeve shqiptare viteve të fundit. Edhe pse në disa qytete të Sllovenisë mbahet mësimi plotësues, numri i nxënëseve që vijojnë karshi numrit të nxënësve që gjinden në shkollat fillore është tejet simbolik. Kjo situatë nuk nderohet pa angazhim të faktorit shqiptar i cili fatkeqësisht nuk e ka idenë se si.

Problemi i dytë: Të vendosura në disa vende të BE-së, njërën prej detyrave dhe obligimeve që kanë ambasadat dhe konsullatat është edhe të kujdesen për afirmimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Por, a janë të interesuara ato më të vërtetë për këtë? Mungesa e profesionalizmit, burokracia, mosnjohja e problemeve të arsimit, janë disa nga faktorët që i bëjnë këto institucione të blera nga individë partiakë të jenë plotësisht te paafta dhe të padobishme për arsimin shqip në diasporë. Mjerimi edhe më i madhi tyre është kur zyrtarët nga këto ambasada, në vend që të bashkëpunojnë me profesionalistë dhe intelektualë shqiptarë në këto shtete, siç e parasheh edhe ligji për diasporën (neni 12), ata preferojnë të shëtisin poshtë e lartë pas darkave me grupe dhe klane që nuk i sjellin shtetit as një dobi, pos një imazhi të keq.

Rasti konkret: Ambasada e Kosovës në Republikën e Sllovenisë nuk e sheh të arsyeshme të vizitojë asnjëherë mësimin plotësues në Lubjanë, i cili falë vullnetit dhe humanizmit të mësueses dhe shoqatës Dardania po zhvillohet normalisht, edhe pse nuk paguhet nga askush. Brengosëse është fakti kur në përvjetorin e shtetësisë së Kosovës, më 17 shkurt, Ambasada nuk i fton as nxënësit e as mësuesen e gjuhës shqipe dhe as intelektualët e mirëfilltë, duke futur përçarje dhe duke keqpërdorur dhe abuzuar me të drejtat e shtetasve të vet, sepse këta individë që kanë blerë këto pozita e konsiderojnë ambasadën pronë të tyre.

Sa i përket problemit të mësimit plotësues në Slloveni, sfidat janë të mëdha, ndërsa përgjegjësi nuk merr askush. Ambasada e Kosovës arsyetohet se nuk ka "kohë" për këto gjëra; Ambasada e Shqipërisë arsyetohet me mungese të shtetasve të saj; ndërsa ajo e Maqedonisë është indiferente edhe pse mësimi plotësues i maqedonishtes për nxënësit maqedonas paguhet nga shteti maqedon por jo edhe për shqiptarët. Kjo nuk shihet si diskriminim për ata!

Kjo është vetëm njëra anë e sjelljeve joprofesionale dhe qyqare e institucioneve shqiptare karshi problemit të arsimit shqip në diasporë. Shtetet shqiptare duhet t’i përfaqësojnë njerëzit dinjitozë dhe intelektualë në ambasadat e tyre, ndërsa arsimit në diasporë i duhen mësues të licencuar dhe profesional që në disa vende edhe i mungojnë.

Problemi i tretë: MASHT-i dhe Ministria e Diasporës. Deri më tani është bërë një punë e mirë në hartimin e planprogrameve dhe botimin e teksteve për mësimin plotësues në diasporë. Gjithashtu, shpërndarja e tyre falas ka ndikuar pozitivisht për shkak se fëmijët po e ndjejnë që dikush po mendon për ta, por edhe në ngritjen e kualitetit të mësimit. Por, këtu ka vend edhe për përmirësime. Edhe pse ekziston Ligji për diasporën, ky ligj nuk aplikohet për asnjërin shtet ku zhvillohet procesi mësimor në gjuhën shqipe. Ligji ka mangësi, nuk parasheh se si do të paguhen mësuesit në diasporë, a do t’ju njihet provoja e punës, si do të jetë raportimi, si do të bëhet lëshimi i dokumentacionit pas mbarimit të vitit shkollor etj. Nëse ka pasur debate për ketë projektligj në diasporë, pse nuk janë thirrur njerëzit që janë direkt të kyçur në mësimin plotësues? Pse mungon informimi dhe bashkëpunimi? Këto dhe shumë pyetje të tjera që shtrohen, duhet të kenë përgjigje nga këto dy ministri.

Problemi i katërt: Jo shumë shtete janë bujare me diasporën shqiptare dhe gjuhën shqipe. Në disa vende të BE-se për mësimin plotësues në gjuhën amtare, mësuesit paguhen e në disa vende ata nuk marrin asgjë, duke u injoruar nga vendi nikoqir. Problemi qëndron tek legjislacioni i vendit përkatës dhe diskriminimi që ju bëhet të huajve. Por, jo rrallë haset edhe në probleme të tilla ku imazhi i keq i krijuar nga shqiptaret ndikon në sjelljen e stafit pedagogjik karshi nxënëseve shqiptar. Sipas një hulumtimi të fundit, në shkollat sllovene ka pasur diskriminim dhe injorim të nxënësve shqiptarë nga disa mësues në baza etnike.

Arsyeja e mossuksesit të fëmijëve shqiptare nuk është e lidhur vetëm me problemet gjuhësore, por edhe ato kulturore dhe emocionale. Përballë gjithë këtyre problemeve, diaspora shqiptare është e lënë anash nga institucionet e shteteve amë, të cilat në marketingun e tyre zgjedhor e kanë gojën plot patriotizëm, ndërsa në realitet diaspora për ta nuk paraqet asgjë më shumë se një strajcë nga e cila merren vetëm para dhe hidhet kur s’ka nevojë.
 

Exit mobile version