Gjuha shqipe duket sikur do të jetë çështja kyçe për formimin e qeverisë së re. Pas takimit të sotëm të BDI-së dhe përfaqësuesve të Aleancës për Shqiptarët, kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela deklaroi se janë harmonizuar qëndrimet mes partive politike shqiptare rreth ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe theksoi se ligjin do ta propozojnë partitë shqiptare dhe jo LSDM-ja, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Harmonizuam qëndrimet tona sa i përket propozim – ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe njëherësh dua të përsëris se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare, ka përgatitur një ligj dhe ne nuk presim që ligjin të na e ofrojnë subjektet e tjera politike. Ne të gjithë së bashku jemi përfaqësues politikë të shqiptarëve dhe ne kemi përgatitur dhe kemi harmonizuar qëndrimet tona lidhur me propozim-ligjin i cili avancon në mënyrë të kënaqshme përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe”, deklaroi Ziadin Sela.
Ndërsa nga LSDM-ja sot deklaruan se po analizojnë propozimet e BDI-së për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për momentin nuk kanë asgjë konkrete.
“Grupi punues i LSDM-së është duke e shqyrtuar propozimin, nuk kemi asgjë të re për të thënë. Në momentin kur do të ketë diçka për të bërë publike, do ta bëjmë menjëherë. Sa më shpejtë të jetë e mundur do të dalim me qëndrimin tonë, sepse Maqedonia nuk ka shumë kohë për të humbur dhe ne duhet të ecim përpara”, deklaroi Bllagoj Boçvarski, kryetar i Komisionit për transport dhe lidhje nga LSDM.
Nga Lëvizja Besa sot nuk ishin të pranishëm në takimin mes BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët, me arsyetimin se ky takim nuk është në frymën e Deklaratës së përbashkët, ndërsa më herët kanë theksuar se do ta mbështesin Zoran Zaev me nënshkrimet për të marrë mandatin nga presidenti i shtetit./Telegrafi/