Site icon Telegrafi

Gjuha fyese në rrjetet sociale, asnjë ankesë te Avokati i Popullit për gjuhën e urrejtjes dhe shpifje e fyerje

Avokati i Popullit, Naim Qelaj,  ka thënë se asnjë ankesë nuk ka pasur nga qytetarët për gjuhën fyese, shpifjen apo fyerjen. Kjo, sipas tij, tregon qartë nivelin e të kuptuarit të shoqërisë tonë, se cili është kufiri në mes lirisë së shprehjes, fyerjes dhe nxitjes së  urrejtjes.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kërkuar që organet e drejtësisë, përkatësisht gjykatat që të jenë më të përgjegjshme për të vepruar në rastet kur qytetarët, kanë probleme me fyerjet dhe gjuhën e urrejtjes.

Qelaj thotë se situata është shumë e vështirë pasi askush s’e ka brengën për fjalën që e përdorë shkaku i mungesës se efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.

“Këtu gjykatat duhet me qenë më azhure. Me vepru tek rastet kur kemi padi dhe qytetarët të cilët janë cenu përmes shprehjeve që janë përdor me pas mbrojtje gjyqësore. Në të dy  rastet mendoj që nuk veprohet në plotëni në  përmbushjen e mandateve që kanë autoritet publike për me zbatu ligjin në këto dy fusha. Prandaj, edhe jemi një situatë shumë të vështirë, ku secili sot shprehet lirshëm pas brengën e pasojës  që mundet me i pas për fjalën që e ka përdorë”, ka thënë Qelaj.

Komentet  në rrjetet sociale, sipas profesoreshës së psikologjisë, Mimoza Shahini, shkruhen për të denigruar integritetin e ndonjë personi apo grupi të caktuar.

Sipas saj, komentet të tilla kanë çuar edhe deri te vetëvrasja.

“Kërcënimet përmes facebook-ut kanë nxitur edhe vetëvrasje tek njerëzit apo  komente fyese apo abuzuese të cilat ne gjatë vitit të fundit i kemi parë në dy – tre ngjarje që tronditën shoqërinë tonë. Unë kam qenë jashtëzakonisht e shokuar. Sepse një individ mund të kryen një vepër por ne nuk jemi askush ta dënojmë publikisht, ta varrim, ta linçojmë publikisht përmes mesazheve që e kalojnë edhe mendjen njerëzore”, ka treguar Shahini.

Profesoresha Shahini thekson se janë disa faktorë pse njerëzit përdorin gjuhë ofenduese.

“Mua më duket që janë njerëz të frustruar, të zemëruar, të frikësuar të cilët nuk munden në jetën e tyre reale të shprehin emocionet  e tilla, kështu që, gjejnë rrjetet sociale për me u shpreh në një formë të tillë, e sidomos në përdorimin e një gjuhe jashtëzakonisht ofenduese”, ka deklaruar Shahini.

Mënyra e të shprehurit në internet, ka qëllim të ndikojë edhe në aspektin emocional tek njerëzit, thekson tutje profesoresha Shahini.

Hulumtuesja në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Eranda Zekaj, thotë se bazuar në praktikën  e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut liria e shprehjes përmban edhe kufizime të caktuara.

Ajo ka thënë se Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, dhe për mënyrën se si  interpretohet në pajtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Zekaj, Kosova e ka në fuqi Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, i cili interpretohet në pajtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo ka thënë se secilit që i shkelen të drejtat mund të inicojë padi në gjykatën kompetente.

Ajo thekson se rastin e platformës së lajmeve “Delfi AS kundër Estonisë”, e cila ishte mbajtur përgjegjëse për dështimin për të hequr komentet personale fyese dhe kërcënuese të përdoruesve në një prej artikujve të tij të lajmeve.

“Ky artikull u publikua më 24 janar të vitit 2006, me titull se si ‘SLK’ shkatërruar   rrugën e planifikuar të akullit”, këtu u  diskutua se si kompania e trageteve SLK kishte shkatërruar rrugën tradicionalisht që përdorur   për të udhëtuar nga kontinenti i Estonisë në ishujt e saj. Ky artikulli kishte prodhuar   184 komente ku prej tyre 20 prej tyre ishin fyese dhe ofenduese. Në këtë rast, Defli nuk kishte marrë asnjë lloj veprimi për të parandalu. Në këtë rast platforma ‘Defli’  nuk kishte marrë asnjë veprim sa i përket fshirjes së komenteve ofenduese dhe fyese kundrejt aksionarit të vetëm të kompanisë së ‘SKL’, por vetëm këto veprime i kishte ndërmarrë pasi ky pronar kishte paraqitur padi kundër kësaj kompanie”, ka treguar Zekaj./Betimi për Drejtësi/

 

Exit mobile version