Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, të hënën, kanë dal para Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Por, në këtë seancë, ata nuk kanë mundur të deklarohen rreth fajësisë, pasi që gjykimi është shtyrë për një ditë tjetër.
Ata akuzohen lidhur me gjuajtjet me armë, që kishte ndodhur në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, në Banjë të Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një plotësim i ekspertizës i është dorëzuar zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, por që prokurori Ismet Tofaj ka kërkuar që një e tillë tu dorëzohet të gjithë të akuzuarve dhe jo vetëm atij.
Prokurori Tofaj ka thënë se është vërtetuar që armët e përdorura kanë qenë me gaz, por sipas tij, këto mund të adaptohen si të vërteta.
Mbrojtësi i Dardan Gashit, avokati Arianit Koci, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet, pasi sipas tij, kjo provë e re që kanë marr sot, i duhet kohë për tu përgatitur.
Me këtë propozim, janë pajtuar edhe të akuzuarit e tjerë. Këtë më pas e ka aprovuar gjykatësi Nijazi Morina dhe seancën e ka shtyrë më 27 shkurt 2019, nga ora 10:00.
Ata akuzohen për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.