Telegrafi

Gjoshi i PDK-së: Mbajtja e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës, absurd

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për t’ia mundësuar serbëve, zgjedhjet brenda territorit të Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, vendimin e Hotit e ka quajtur absurd.

“LDK-ja, përmes Qeverisë që e udhëheq paska lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ky është një vendim absurd për faktin se institucionet e shëndetësisë të shtetit tonë kanë rekomanduar të mos mbahen zgjedhjet në Podujevë dhe në Mitrovicë Veriore”, ka thënë ai.

Ai më tej ka hedhur akuza edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

“Edhe më absurd është reagimi i partisë që “kujdestaron” për moral në vendin tonë – Vetëvendosjes. Kjo parti dhe Albin K. sa ishin në Qeveri e shkelën vet integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës. Sa ishin në qeveri lejuan që në pjesën veriore të Kosovës të zbatohen masat kufizuese të Serbisë dhe e dorëzuan kontrollin e shëndetit të popullatës në duart e mjekëve të ardhur dhe dirigjuar nga Serbia”.

“LDK dhe Vetëvendosje nuk janë asgjë tjetër veç vazhdim i mashtrimit të njëra tjetrës”, ka shkruar Gjoshi./Telegrafi/