Telegrafi

Gjosha: Shqipëria do ta realizojë reformën në drejtësi

Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministrja Gjosha u prit fillimisht nga Ministri i Shtetit për Europën, David Lidington.

Në fokus të këtij takimi ishin sfidat e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, veçanërisht konsolidimi i shtetit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministri Lidington u shpreh se Britania do të mbështesë Shqipërinë në këtë proces edhe me asistencë teknike, nëse do të jetë e nevojshme. Ministri nënvizoi se çdo vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së, duhet të plotësojë standardet e vendosura, veçanërisht ato reforma që konsolidojnë demokracinë.

Ministrja Gjosha theksoi se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara me procesin e integrimit dhe e angazhuar maksimalisht për të realizuar të gjitha reformat. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Gjosha u shpreh se Shqipëria do të përmbyllë këtë reformë së pari për qytetarët, të cilët meritojnë t’u rikthehet besimi te sistemi.“Qytetarët tanë mbështesin fuqimisht procesin e integrimit dhe reforma në drejtësi, është çelësi për të ecur përpara me këtë proces. Këtë reformë ne do ta bëjmë për të ardhmen e Shqipërisë, por mbi të gjitha për ta”, tha Ministrja Gjosha.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për adresimin dhe përmbushjen e 5 prioriteteve që vendit i janë lënë nga Komisioni Europian si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të përshpejtuar axhendën europiane. /Telegrafi/