Site icon Telegrafi

Gjobë 20 mijë euro për aksionin me nënshkrimet, PSD: Pushteti po i përdor instrumentet e veta për t’i ndëshkuar partitë politike

Me 20 mijë euro është gjobitur Partia Socialdemokrate nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), për “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”.

Kjo parti një muaj më parë përmes një aksioni simbolik, pati vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lexo po ashtu PSD-ja shpalos 205 mijë nënshkrimet e peticionit të 2016-së kundër Asociacionit

Por, sipas kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, ky është rasti i parë ku pushteti po i përdor instrumentet e veta për t’i ndëshkuar partitë politike.

“Ajo që dihet qartë është se ka vendim selektiv për të njëjtin material, nga e njëjta parti dhe nga i njëjti institucion kanë marrë vendime të ndryshme. Kjo tregon se kemi të bëjmë me intervenim politik. Kemi informata të sigurta se presioni ka qenë nga lart. Ne jemi të bindur se nuk kemi bërë shkelje dhe këtë do ta vërtetojë gjykata”.

“Ideja është që me dëmtu financiarisht PSD-në. Por, këta kanë mundur të marrin masa sipas përshkallëzimit. Kudo në institucione të pavarura nuk merrem masa radikale për palën që është për herë të parë. Këta kanë shkuar te shkalla e shtatë dhe dënimi maksimal. Praktikisht 40 mijë euro është dënimi maksimal e këta kanë shkuar në 20 mijë euro. Asnjë kritikë e asnjë vërejtje dhe asnjë paralajmërin, por direkt në dënim”, është shprehur Molliqaj në një deklarim para mediave të mërkurën.

Ai tutje ka thënë se ky peticion partisë në pushtet i ka penguar sepse “tash ka vendosur ta bëjë Zajednicën”.

“Ne nuk i kemi përdorur të dhënat me shitë, ble, përfitu ose mashtru. Ato të dhëna të 200 mijë qytetarëve janë dhënë për ta kundërshtuar këtë marrëveshje. Ky është rasti i parë ku pushteti po i përdor instrumentet e veta për t’i ndëshkuar partitë politikë”, ka deklaruar tutje i pari i PSD-së. /Telegrafi/

Exit mobile version