Site icon Telegrafi

Gjobat në Tetovë selektive, ankohen qytetarët

Policia në Tetovë ka qasje selektive ndaj qytetarëve shqiptarë, sidomos në shqiptimin e gjobave. Këto vërejtje i bëjnë qytetarët, duke shprehur revoltën e tyre. Së këndejmi qytetarë të Tetovës dhe rrethinës vazhdimisht ankohen se pjesëtarët e policisë, bëjnë presion ndaj këmbësorëve në rrugën e Ilindenit te Xhamia e Pashës, shkruan gazeta KOHA. Ata janë ankuar se gjobat në këtë pjesë shqiptohen në baza etnike dhe se këta pjesëtarë janë shumë tolerant ndaj pjesëtarëve tjerë etnik maqedonas kur vjen në shprehje gjoba.

“Kohëve të fundit, sidomos në pjesën te Xhamia e Pashës, ka kontrolle të përditshme të policisë ndaj këmbësorëve shqiptarë. Policët kanë sjellje arrogante ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë të këtillë me qytetarët maqedonas”, thotë një qytetarë nga Tetova.

Nga Policia e Tetovës kanë mohuar këto akuza që janë në drejtim të pjesëtarëve të saj. Ata inkurajojnë qytetarët që të paraqesin rastet e këtilla. “Nëse ndonjë nga këmbësorët që kanë kryer kundërvajtje, vlerësojnë se janë të dënuar në mënyrë të padrejtë ose pa bazë, mund të dorëzojë parashtresë deri te Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë kundër pjesëtarëve të policisë që kanë qenë në kontrollet dhe parashtresa pastaj do të procedohet te kontrolli i brendshëm, e cila do të shqyrtohet. Nëse vërtetohen çfarëdo lëshime të pjesëtarëve të policisë, atëherë në mënyrë adekuate do të reagohet”, thotë për KOHA, zëdhënësi i Policisë së Tetovës, Marjan Josifoski.

Në ndërkohë, profesori universitar, Bashkim Selmani, thotë se shteti mbush arkat e saj nga dënimet që u shqiptohen shqiptarëve. Madje, sipas tij, qytetarët shumë pak janë të informuar për të drejtat e tyre. Ai nënvizon se problem është se nëse dënimi është shumë i vogël dhe nëse qytetari nuk e paguan në kohë, atëherë vlera e gjobës përmes procedurës së përmbarimit arrin shuma të mëdha të papërballueshme për qytetarët.

Sipas qytetarëve, gjobat shqiptohen nga 300 euro dhe pjesëtarët e policisë, kryesisht të rinj, gjobat i shqiptojnë vetëm për shqiptarët, pasi që në këtë pjesë më shumë qarkullojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar. Në zonat ku maqedonasit jetojnë nuk ka kontrolle të kësaj natyre, por policia fton të gjithë ata që kanë vërejtje të njëjtat t’i paraqesin menjëherë.

Nga Policia e Tetovës insistojnë se edhe në të ardhmen do të përfshihen këmbësorët, me qëllim që të ngritët vetëdija dhe kultura e tyre në komunikacion, sepse edhe më tej në Tetovë dhe rrethinë, është shumë i madh numri i këmbësorëve që në mënyrë të parregullt kalojnë rrugën ku ju konvenon atyre dhe nuk respektojnë e shenjat e komunikacionit si dhe urdhrat e pjesëtarëve të policisë dhe në këtë mënyrë ata janë të rrezikuar që të aksidentohen.

Exit mobile version