Telegrafi

Gjobat në komunikacion, tani pagesa në vend përmes Raiffeisen Bank

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe “Raiffeisen Bank” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do t’iu mundësojë qytetarëve të bëjnë menjëherë pagesat e gjobave, dhe do të ndihmojë në ngritjen e efikasitetit të Policisë së Kosovës në kryerjen e veprimeve të saja.

Ministri Zenun Pajaziti vlerësoi se institucionet e Kosovës kanë nevoja të mëdha për shërbime të ndryshme në përputhje me legjislacionin e ri dhe me arritjen e marrëveshjes në fjalë do të ketë lehtësira në kryerjen e disa shërbimeve.

“Mendoj se ky është një fillim i mirë me ‘Raiffeisen’, në të mirë të pjesëtarëve të policisë dhe qytetarëve. Ne, po ashtu, do të kemi bashkëpunim edhe me asociacione dhe institucione tjera financiare e bankare”, ka thënë ministri Pajaziti.

Ndërkaq, kryesuesi i Bordit Menaxhues të “Raiffeisen Bank” në Kosovë, Bogdan Merfea tha se marrëveshja do t’u mundësojë policëve të kryejnë punën sa më mirë, ndërsa qytetarëve lehtësira në kryerjen e shërbimeve të ndryshme.
“Do të ketë lehtësira për të gjitha palët që janë të përfshira në këtë sektorë, si për MPB, policinë e qytetarët, por edhe për vetë bankën tonë”, tha Marfea.