Mediat rozë një ditë më parë u mbushën me lajmet e largimit të moderatores Jonida Shehu nga drejtimi i emisionit ‘Pasdite në Top Channel’.
Në lidhje me arsyet pas këtij vendimi, moderatroja u shpreh se ishte ndier ‘e papërshtatshme’ dhe se kishte pasur mosmarrëveshje në lidhje me organizimin e punës në emision, ndërsa vetë drejtuesit e ‘Top Channel’, deklaruan se do të ndiqnin rrugën ligjore ndaj saj për sjellje ‘aspak profesionale’.
Së fundmi, ‘Lapsi.al’ ka zbuluar zanafillën e konfliktit, që mesa duket, është emisioni i pak ditëve më parë ku e ftuar ishte Rezarta Shkurta. Burime të portalit bëjnë të ditur se konflikti ka lindur për shkak të një kronike të transmetuar në emision, ku flitej për biznesin e këngëtares, gjë që nga ana e drejtuesve të ‘Top Channel’ është konsideruar reklamë e cila duhej të paguhej nga Shkurta.
Në këto kushte, Shehu ka marrë një gjobë prej 1500 eurosh nga zyra e financës, të cilën moderatorja ka refuzuar ta paguajë, duke zgjedhur të largohet nga televizioni.
Për të zëvendësuar moderatoren, drejtuesit në kohë rekord kanë zgjedhur spikeren e lajmeve Juli Krisafi, e cila një ditë më parë bëri debutimin e saj në emisionin e pasdites.
Nga Top Channel njoftohet se marrëdhëniet kontraktuale me znj.Jonida Shehu janë ndërprerë në mënyrë përfundimtare më 23.10.2017. Sjellja aspak profesionale e Jonida Shehut dhe braktisja e emisionit në mënyrë të papritur janë arsyet e largimit të gazetares nga Top Channel, shkruan Koha Jone.
Për këtë arsye, zyra ligjore do të ndërmarrë rrugët ligjore në raport me të, duke shtuar pas qëndrimit të saj në media edhe kërkesën për dëmshpërbim për prishje të imazhit.
Juli Krisafi është një gazetare me një eksperiencë të gjatë në televizion, ndërkohë që prej disa vitesh ajo është kthyer si imazh i edicionit qëndror të lajmeve.
Juli Krisafi do të jetë edhe bashkë autore e programit Pasdite në Top Channel.