Telegrafi

Gjoba për naftëtarët

Udhëheqës të Komisionit të Konkurrencës thonë se kanë përfunduar fazën e parë, ku të gjithë importuesit kanë plotësuar pyetësorët e këtij komisioni. Krejt ky hetim ka ardhur si pasojë e dyshimit të Komisionit për fiksimin e çmimeve nga kompanitë importuese të naftës. Këta tregtarë mund të pësojnë të njëjtin fat, sikurse kompanitë e sigurimeve që vitin e kaluar ishin dënuar me nga 100 mijë euro për një marrëveshje të fshehtë të tyre, shkruan Express.

Osman Ejupi, drejtues i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se janë duke bërë punë intensive në hetimet e nisura për naftëtarët e mëdhenj dhe gjatë javës ai thotë se mund të priten edhe vendimet për ta. “Nga analiza e pyetësorëve rezulton se këta importues i kanë kryesisht çmimet e njëjta, e në veçanti kur lokacionet e pompave të tyre janë afër njëri-tjetrit. E, njëjtë nuk po na rezultojnë edhe çmimet furnizuese, të cilat nuk i kanë të njëjta. Në krejt këtë fshihet një praktikë e bashkërenduar apo të them një marrëveshje e pashkruar mes tyre”, ka thënë ai.

Përveç naftëtarëve, ai tregon se janë duke u hetuar edhe kreditë e bankave, ku ka përfunduar faza me pyetësorë dhe tani janë duke kryer analizat e tyre. Ai ka bërë të ditur se dënimet për kompanitë importuese të naftës janë nga 1 deri në 10 për qind në bazë të qarkullimit vjetor.

Ai ka treguar se pjesë e hetimeve kanë qenë edhe disa prej naftëtarëve të vegjël. Por Shoqata e Naftëtarëve nuk e pranon se mes tregtarëve kosovarë ka marrëveshje për fiksimin e çmimeve. Nazmi Bytyqi, kryetar i kësaj shoqate së naftëtarëve, ka thënë për Express, se ata bashkëpunojnë me Komisionin dhe si shoqatë nuk i ikin ligjit, por nuk pranon se ka marrëveshje në tregun vendor.

“Nuk mendoj se qëndron marrëveshje mes tyre, e nëse veç ata hetojnë këtë, atëherë është Ligji i konkurrencës në bazë të cilit edhe Komisioni mund t’i marrë vendimet”, ka thënë Bytyqi. /Telegrafi/