Site icon Telegrafi

Gjithnjë e më pak gjelbërime në Tetovë, parqet shndërrohen në beton

Komuna e Tetovës me shpërndarjen e të punësuarve nga administrate në ndërmarrjet publike do të tentojë të gjidh problemin me mungesën e kuadrit e cila sipas informacioneve është një nga shkaktarët për mungesën e higjienës dhe mbajtjes së gjelbërimit në qytet.

Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi disa herë ka theksuar se ka mungesë edhe të punësuarve në ndërmarrjen parqet dhe gjelbërimi, sepse një numër shumë i vogël i punëtorëve, kujdesen për një qytet ku gravitojnë rreth 100 mijë qytetarë.Ajo ka nënvizuar se ky proces duhet të fillojë me shpërndarjen e administratës nëpër ndërmarrje publike por pa precizuar se kur do të fillojë ky proces.Tetova kësisoj ngel pa hapësira të gjelbra viteve të fundit.Të njëjtat shkatërrohen në mënyrë të pamëshirshme.

Një nga parqet më të gjata përgjatë rrugës Boris Kidriç duke filluar nga Qendra për Kulturë deri tek Qendra Sportive, tashmë vieteve të fundit është përfshirë nga ndërtimet dhe zaptimet e tavernave. Një pjesë tashmë është rregulluar si parking ndërsa përgjatë rrugës janë vendosur edhe mburoja prej metali për ndërtimet që zhvillohen.

Qytetarët theksojnë se me ndërtimet e reja në qytet dëmtohen hapësirat e gjelbra të cilët përvetësohen nga investitorë duke mos lënë asnjë hapësirë të gjelbër apo parqe.Në Tetovë dëmtime të këtilla ka gjithandej sidomos në pjesët ku janë ndërtuar ndërtesa të mëdha.Kjo edhe viteve të kaluara sipas ekspertëve ishte një ndër arsyet kryesore të ndotjes për shkak të mos qarkullimit të ajrit.Nga komuna e Tetovës thonë se hapësirat e gjelbra do tu kthehen qytetarëve.

“NPK Tetova-Tetovë, do të del në teren , do të inspektojë dëmtimet dhe në bashkëpunim me investitorët të cilët ndërtojnë në atë pjesë do të kthehen hapësirat e gjelbra. Në Tetovë kemi diku rreth 41.123 metër katror sipërfaqe të gjelbra publike, por po ballafaqohemi me një problem, në të gjithë jemi të vetëdijshëm se uzurpohen në mënyrë të paskrupullt hapësirat publike mirëpo, tendenca jonë edhe si komunë edhe si ndërmarrje është që ata sipërfaqe ti ç`bllokojmë dhe ti kthejmë tek qytetarët”, thonë nga pushteti lokal në Tetovë.

Në qytetin e Tetovës I cili tashmë është shndërruar në asfalt, nuk respektohet as në minimum hapësira e gjelbër e cila sipas standardeve evropiane është që për kokë banori të ketë 16 metër kub hapësirë të gjelbër.Në të kaluarën në Tetovë ka pasur shumë parqe të cilët janë shfrytëzuar nga qytetarët, kurse kohëve të fundit ka mbetur vetëm ai pranë Xhamisë së larme, ndërsa së fundi është rregulluar edhe parku afër stacionit të autobusëve. Qyteti i Tetovës ndër vite po i humb edhe ato pak hapësira të gjelbëra që i ka. Pjesa dërmuese e hapësirave të lira të cilët kanë qenë me gjelbërim janë uzurpuar dhe në ato vende janë bërë ndërtime. Nga NPK-ja krahas kësaj thonë se për më shumë pastërti vendosin edhe shporta por ato dëmtohen.

“Shpesh herë kalimtarë të rastit dëmtojnë shportat dhe të njëjtat mund të them se janë në gjendje të mjerueshme. Prandaj në këtë drejtim duhet edhe një vetëdije më e lartë e qytetarëve që të mos i dëmtojnë ata sepse bashkërisht mund të kontribuojmë për një ambient më të pastër në qytetin e Tetovës”, thonë nga kjo ndërmarrje.

Tetova, që nga viti 1990 është kthyer në një qendër në Maqedoninë Perëndimore, si në aspektin tregtar poashtu edhe në aspekte të tjera, ngase pas hapjes së dy universiteteve dukshëm qyteti është zgjeruar, numri i banorëve është rritur, ndërsa gjithnjë e më pak ka hapësira të gjelbëra.

Exit mobile version