Telegrafi

Gjithkush ka kimerën e vet

Nga: Balil Gjini

Kështu e ka titullin një nga prozat poetike të Bodlerit. Në fakt secili s’ka vetëm kimerën e vet, por edhe dramën edhe komedinë e vet.

E dimë se Herostrati, një bari grek, për të fituar famë dhe lavdi, dogji tempullin e Artemidës, konsideruar si një nga shtatë mrekullitë e botës. Ngjarja ka ndodhur në shekullin lV para Krishtit.

Qysh atëherë njeriu s’ka reshtur së kërkuari lavdinë pa e merituar, në mënyrë arbitrare. Këtu s’dua të përmend ca djem e vajza tek emisioni Përputhen, por shumë nga politikanët tanë që bëhen gastorë para ambasadorëve të vendeve evropiane. Por, thamë që gjithkush ka kimerën e vet, dramën, apo komedinë e tij.

Kësisoj, para disa viteve kam parë në kanionet e Skraparit një njeri të çuditshëm, bari dhish. Sapo pa që në kanion u futën një grup turistësh, ai hoqi opingat dhe filloi t’iu kacavirrej shkëmbinjve që ngjiteshin ndonjëherë gjer në shtatëdhjetë metra lart. Turistët shtangën. Bariu filloi të kthente kokën nga ta dhe të vërriste si kec, me, mee, meee! … Pastaj iu drejtua guidës së grupit: pa pyeti mos kanë qejf të dëgjojnë cicërima dallëndyshesh. Dhe pa marrë ende përgjigje filloi të imitonte cicërrimat e dallëndysheve: çvit, çvit, çvit … Thuaji nuk duam asgjë, u përgjigjën turistët, veçse të zbresë prej aty. Por, sa thanë ata kështu, ai u kacavirr edhe disa metra më lart. Apo mos kanë qejf të dëgjojnë si ia bën bufi nën hënë: hu-hu, hu-hu! … Nuk duan asgjë, i tha drejtuesi i guidës, veç ti të zbresësh poshtë. Ou, po ç’turistë leshi janë këta që s’kanë qejf asgjë. Unë për të mirën e tyre e kisha. Le të hanë mut tani! Dhe zbriti (me siguri turivarur). Veshi opingat, u largua pa denjua t’iu hedhë qoftë edhe një vështrim asaj turme biçimësh.

Konica, por edhe Mitat Frashëri thonë se shqiptari ka një lloj urrejtje barbare ndaj së bukurës. Ama jo ndaj spektaklit, dramës, apo komedisë. Veçanërisht kur i luan këto para të panjohurve.