Telegrafi

Me gjithë vështirësitë në qarkullim, zëvendësministri Durmishi thotë se të gjitha rrugët janë të kalueshme

Reshjet e dendura të borës që kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme e kanë vazhduar edhe sot pandërprerë, kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët e Kosovës.

Megjithatë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren dhe se po punojnë pa ndalë.

“Ne vazhdimisht jemi në teren. Në gjithë territorin e Kosovës kompanitë e mirëmbajtjes janë vazhdimisht duke punuar”, ka shkruar Durmishi.

“Me gjithë punën e pandërprerë, reshjet e borës janë të vazhdueshme, prandaj kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes të shtuar dhe përshtatje me kushtet në rrugë. Në përgjithësi të gjitha rrugët janë të kalueshme”, ka shtuar ai.

Edhe Policia e Kosovës paraprakisht ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar në trafik, pas reshjeve të dendura të borës.

Nga policia kanë bërë të ditur se qarkullimi nëpër rrugë është vështirësuar, teksa është përmendur se qysh para dy javësh është kërkuar që drejtuesit e  automjeteve të kenë pajisje dimërore në veturat e tyre.

“Tani, duke qenë se bora e parë ka filluar të bije, në rrugë ka borë e gjatë natës për shkak të temperaturave të ulëta mund të ketë edhe akull. Kërkohet kujdes i shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik me theks të veçantë drejtuesit e automjeteve”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/