Site icon Telegrafi

Me gjithë polemikat, Bregovic u ngjit në skenë në Korçë, e nisi me “Kosovska”, nuk kaloi pa incidente, por performanca nuk u ndërpre

Foto: E huazuar

Goran Bregovic është ngjitur në skenën e Festës së Birrës ‘Korça’ në natën e fundit të festës më të madhe verore në Shqipëri.

Me gjithë polemikat e shumta, këngëtari dhe grupi i tij performuan para publikut të gjerë vendas dhe të huaj.

Shumë turistë kishin zgjedhur që këtë natë ta kalojnë duke shijuar birrat që për pesë net me radhë nuk i kanë munguar tavolinave, shkruan Panorama.

(Foto: panorama.al)

Ndërkohë, përveç qytetarëve që ishin të shumtë në numër, në festë nuk mungonin as politikanë, artistë, gazetarë dhe analistë të njohur.

Përpara nisjes së koncertit, në një prononcim shkurt për News24, Bregovic u shpreh se i kanë munguar koncertet, pasi prej dy vitesh nuk mbahen aktivitete të tilla për shkak të pandemisë.

“Jam i lumtur që jam këtu. Shpresoj që do e pëlqejnë koncertin sot. Është verë dhe duhet të bëjmë qejf. Do të jetë një zbavitje për ne, por edhe për ju. Kemi dy vite që nuk dalim. Do të jetë një çmenduri dhe nëse nuk çmendeni, nuk jeni normal”, ishte shprehur Bregovic.

Festa e Birrës Korça është evenimenti më i madh veror në Shqipëri, ku mijëra turistë vendas dhe të huaj mblidhen në qytetin juglindor për të shijuar birrën e parë shqiptare.

Vendimi për ta ftuar Bregovicin në këtë ngjarje kishte nxitur reagime të shumta, duke bërë që artistët nga Kosova, por edhe sponsorët, të tërhiqeshin nga evenimenti.

Lexo po ashtu Incident gjatë koncertit të Goran Bregovicit në Korçë, hidhen tymuese

Në anën tjetër, koncerti i tij nuk ka kaluar pa incidente. Gjatë performancës janë hedhur tymuese duke nxitur largimin e shumë prej pjesëmarrësve nga koncerti.

Ndryshe, Bregovic kishte vendosur që performancën ta fillojë pikërisht me këngën “Kosovska”, të cilën me grupin “Bijelo Dugme” e kishin interpretuar në gjuhën shqipe.

Pavarësisht incidentit, performanca e Bregovicit nuk është ndërprerë, ashtu që ai dhe grupi i tij e kanë vazhduar interpretimin.

Theksojmë që më herët ishte raportuar se ishin marrë masa të rrepta sigurie, me mbi 200 forca policie të pranishëm. Pjesa më e madhe kishin rrethuar terminalin, ndërkohë që pjesa tjetër ishte vendosur në bulevardet kryesore të qytetit.

Lexo po ashtu Policia shoqëron disa persona pas incidentit në koncertin e Bregovicit në Korçë

Që në hyrje të terminalit thuhej se kishte kontrolle të rrepta për të gjithë të interesuarit për të ndjekur performancën e këngëtarit. Kontrollet arrinin deri atje sa nuk lejohen monedha, shishe apo sende të tjera metalike, ndaj mbetet e paqartë si i ka shpëtuar policisë rasti i personit që hodhi gaz lotsjellës.

Exit mobile version