Site icon Telegrafi

Gjithë bota sytë nga Amerika, qytetarët atje tregojnë këtë disponim

E gjithë bota është duke ndjekur nga afër rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Interesimi i jo-amerikanëve raportohet të jetë më i madh se asnjëherë më parë për zgjedhjen e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, nisur edhe nga deklarimet e kandidatëve në veçanti për politikat amerikane në raport me botën.

Interesim i jashtëzakonshëm tregohet edhe nga vetë qytetarët në Kosovë, përfshirë edhe mbulueshmërinë që mediat tradicionale dhe ato të reja po i japin ditës finale të votimeve në SHBA, transmeton KosovaPress. Ndërkohë CNN raporton se deri tash, sipas rezultateve ExitPoll, del se kutive të votimit i janë drejtuar diku 70 për qind e votuesve të bardhë, 12 për qind e afriko-amerikanëve dhe 11 për qind e latino-amerikanëve.

83 për qind e votuesve kishin vendosur se kujt do t’ia jepnin votën që para shtatorit, ndërkohë vetëm 5 për qind e amerikanëve kanë vendosur këtë javë.   Elektorati i Amerikës në vitin 2016 duket të jetë mjaft i kënaqur me presidentin që ka (Barack Obama), por shumë prej tyre kanë thënë se nuk janë të kënaqur me zgjedhjet që kishin përpara për të gjetur zëvendësuesin e presidentit aktual.

54 për qind e votuesve, që shkuan sot në qendrat e votimit, thanë se ata e përgëzojnë punën e Barack Obamas si President, dhe vetëm rreth katër në 10 persona thanë se do të jenë të ngazëllyer apo optimist për një president të ri si Hillary Clinton apo Donald Trump.

Shumicat e të anketuarve kanë thënë se votën e tyre e bazojnë nga propozimet dhe planet për ekonominë, që kanë treguar kandidatët. Ndërkohë rreth tetë në 10 persona thanë se ishin të sigurt se rezultatet e zgjedhjeve do të numërohen me saktësi.

Këto rezultate vijnë nga një anketë pas votimeve të realizuar për CNN dhe rrjetet e tjera të lajmeve nga Edison Research. Rezultatet bazohen në intervista me 15,455 votues.

 

Exit mobile version