Shteti turk e ka nisur vitin e ri me viktima si pasojë e një sulmi terrorist në një lokal nate në Stamboll.
Deri më tani janë raportuar 39 të vdekur dhe 69 të plagosur, pas sulmit në lokalin e natës ‘Reina’ në Stamboll të Turqisë.
E gjitha ngjarje kishte filluar rreth orës 23:00, sipas kohës tonë lokale, kur një person i armatosur i maskuar si Babadimër kishte arritur para lokalit që gjendet në buzë të lumit të Bosforit, transmeton Telegrafi.
Fillimisht, sulmuesi kishte vrarë policin 21-vjeçar Burak Yildiz, i cili punonte jasht orarit zyrtar si sigurim para derës së lokalit.
Më pas sulmuesi, deri më tani i paidentifikuar, kishte shtënë me armë në lokal ku si pasojë e të shtënave kanë mbetur 39 të vdekur.
Terroristi, sipas autoriteteve turke, kishte planifikuar që moti sulmin, ndërsa ka ikur prej vendit të krimit duke hequr veshjet e Babadimrit dhe deri më tani nuk ka asnjë informatë rreth vendndodhjes së tij.
Besohet se atentatori shumë shpejt do të arrestohet, pasi që kamerat e lokalit kanë kapur momentet e kryerjes së krimit dhe të heqjes së maskës në vendin e krimit, duke zbuluar kështu fytyrën e sulmuesit.
Në anën tjetër tashmë disa prej të vrarëve janë identifikuar dhe vijnë prej shteteve arabe dhe afrikane, kurse emrat e tyre janë: Leanne Nasser, Jalal Abbas, Ahmed Saud Alfaoul, Muhammed Saud Alfaoul, Ahmed İsam dhe Basma Abourazaq.
Disa prej dëshmitarëve kanë rrëfyer edhe momentet e tmerrit që kanë përjetuar gjatë kohës sa po festonin ndërrimin e motmoteve.
Gjithashtu raportohet se disa prej të pranishmëve kanë kërcyer në lumin e Bosforit, por të gjithë kanë shpëtuar pas intervenimit të shpejtë të autoriteteve turke të sigurisë.
Shumë prej personaliteteve botërore janë solidarizuar me popullin turk dhe kanë shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar në këto momente të vështira qeverinë e Turqisë.
Vlen të theksohet se edhe liderët shtetëror dhe të partive politike në Kosovë i kanë dërguar telegrame ngushëllimi homologëve shtetëror turk. /Telegrafi/