Telegrafi

Gjithçka rreth arrestimit të dy ish-luftëtarëve të UÇK-së nga autoritet Zvicrane (Video)

Policia kantonale e Cyrihut ka arrestuar të dielën dy kosovarë, Albert Spahiun dhe Genc Zogajn, ish-ushtarë të UÇK-së. Ata kërkoheshin nga drejtësia serbe, e cila i ngarkon për krime ndaj civilëve serbë gjatë kohës së luftës, raporton Sonntagszeitung.

Sipas deklaratës së vëllait të Genc Zogajt, ai aktualisht ndodhet në burgun “Prison de Champ-Dollin” në Puplinge të Zvicrës dhe pritet ekstradimi i tij për në Serbi, raporton KTV.

Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar ekstradimin në Serbi, derisa Ambasada e Kosovës në Bernë ka shpjegime lidhur me rastin.

Për më tepër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka dërguar letër Simonetta Sommaruga, kryetares së Departamentit Federal zviceran për Drejtësi dhe Polici.

Kuçi i ka shkruar zviceranes se ekstradimi i kosovarit në Serbi nuk është i lejuar, ngase për krimet e pohuara të tij juridiksion ka gjyqësori në Kosovë, e jo në Serbi.

Familjarë të Zogajt rikujtojnë se Genci ishte arrestuar edhe më 2014 nga autoritetet franceze po në bazë të këtij fletarrestimi nga Serbia, por më vonë ishte liruar.

LEXO PO ASHTU: Zvicra arreston edhe një ish-ushtar të UÇK-së, familjarët thonë se mund të ekstradohet në Serbi (Foto)

LEXO PO ASHTU: Arrestimi i ish-luftëtarit të UÇK-së tensionon raportet Kosovë-Zvicër

Petrit Selimi, u.d. i ministrit të Jashtëm të Kosovës, u ka thënë medieve se “MPJ është në kontakt të përhershëm me autoritetet zvicerane që nga momenti i parë i arrestimeve dhe se në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet në Zvicër po punojnë për të arritur lirimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së”. Siç citohet të ketë thënë ai, “çështja e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia është çështje politike dhe jo ligjore”.

Ndërkohë Spahiu ka jetuar në Zvicër sipas medieve që nga viti 1998, derisa përmendin se 13 anëtarë të familjes së tij në Rahovec janë vrarë gjatë luftës në Kosovë. Mediat zvicerane kanë shkruar se kërkesa për ekstradimin e 51-vjeçarit në Serbi ekziston që nga viti 2014.