Miomat (fibroidet) e mitrës janë rritje jo kanceroze të indit muskulor të mitrës. Mioma mund të shfaqet si një miomë e vetme ose më shumë mioma dhe me madhësi të ndryshme.
Disa veçori të përgjithshme
- Zakonisht prekin femrat ndërmjet moshës 30 dhe 40 vjeç.
- Nëse janë shfaqur në moshë më të re, miomat/fibroidet rriten më shpejt.
- Prania e miomës tek një anëtar i rrethit të ngushtë në familje tregon një rritje rreziku për ju.
- Mbipesha (obeziteti) dhe presioni i lartë i gjakut janë faktorë rreziku shtesë që rrisin mundësinë e shfaqjes së miomave
Simptomat
Miomat (fibroidet) mund të shkaktojnë simptoma shumë të lehta, mund të mos keni fare simptoma, por ato mund të jenë edhe serioze si p.sh.
- Presion në fshikëz ose rektum
- Urinim i shpeshtë
- Mosmbajtje e urinës (urinim i pavullnetshëm, i pakontrolluar)
- Kapsllëk dhe/ose dhimbje rektale
- Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës dhe/ose në bark
- Fryrje, parehati të shoqëruara me dhimbje në zonën e stomakut
- Ndryshime në ciklin menstrual, gjakderdhje të rëndë
Çfarë i shkakton fibroidet?
Ende nuk ka një përgjigje konkrete se çfarë i shkakton saktësisht miomat, megjithatë, është konfirmuar se rritja e tyre lidhet me hormonet femërore estrogjen dhe progesteron. Hulumtimet tregojnë se gjasat janë më të mëdha për shfaqjen e miomave nëse cikli juaj menstrual ka filluar në një moshë më të re.
Komplikimet e mundshme të cilat shfaqen si pasojë e pranisë së miomave
- Anemia. Disa gra me mioma/fibroide që kanë gjakderdhje jashtëzakonisht të rëndë gjatë ose para/pas menstruacioneve. Si pasojë, ato bëhen anemike, me ndjenjë lodhjeje dhe mungesë energjie, dhe në raste të rënda deri në probleme me zemrën.
- Probleme me fertilitetin dhe shtatzëninë. Në disa raste, miomat/fibroidet mund të bllokojnë tubat fallopiane, ose nëse rriten përgjatë murit të brendshëm të mitrës, mund ta bëjnë të vështirë ngjitjen e një veze të fekonduar.
- Miomat më të mëdha mund të pësojnë shpërbërje të brendshme, copat e të cilave shpërndahen në qarkullimin e përgjithshëm në trupin e gruas.
Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?
- Nëse keni gjakderdhje të madhe gjatë menstruacioneve
- Nëse ciklet menstruale janë bërë më të dhimbshme se më parë
- Nëse keni urinim të shpeshtë ose pamundësi për të kontrolluar rrjedhjen e urinës
- Nëse keni ndryshim në kohëzgjatjen e menstruacioneve
- Nëse keni dhimbje ose rëndesë në pjesën e poshtme të barkut ose legenit
- Nëse planifikoni shtatzëni gjatë ekzistencës së miomës
- Nëse jeni anemik.