Telegrafi

Gjithçka ndodhi në shtëpinë e avokatit në Zvicër: Vret avokatin e njohur, autori më pas bën vetëvrasje

Të dielën në mëngjes në Rünenberg të Kantonit Baselland është vrarë avokati Martin Wagner, 57 vjeçar nga Bazeli, i njohur si përfaqësues juridik i medieve, shkruan srf.ch.

Siç bën të ditur Prokuroria Publike e Basellandit, edhe personi i dyshuar për vrasje, një burrë 39 vjeçar ka vrarë veten pas këtij akti, transmeton albinfo.ch

Vrasja ka ndodhur në shtëpinë e avokatit të përmendur.

Prokuroria deri tash nuk ka mundur të sigurojë ndonjë indikacion për motivin e mundshëm të vrasjes. Por ajo që dihet është se dorasi i dyshuar dhe viktima njiheshin mes vete.

Wagner, pos si avokat i medieve për një kohë të shkurtë ka qenë edhe botues i gazetës “Basler Zeitung”.

Policia kishte marrë pak para orës 9 të mëngjesit lajmin se ishin dëgjuar të shtëna dhe zëra të një konflikti mes fqinjëve.

Kur kishte ardhur policia, avokati Wagner ishte ende në jetë.

Por përkundër masave të ndihmës së parë ai vdiq në vendin e ngjarjes. I dyshuari për vrasje, i cili jetonte në fqinjësi, kishte qenë tashmë i vdekur në kohën kur kishte arritur policia.

Avokati me rrjet të mirë shoqëror në Bazel e më gjerë ka qenë në vitin 2011 kandidat i FDP-së për Parlamentin Nacional.