Site icon Telegrafi

Gjithçka mbetet ende mister pasi pesë anëtarë të një familjeje u gjetën të vdekur në një shtëpi në Utah, SHBA

Pesë anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë një vajzë dyvjeçare, janë gjetur të vdekur në një shtëpi në shtetin amerikan të Utah.

Edhe një 17-vjeçar është gjetur i gjallë por me plagë me armë zjarri, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Nuk është ende e qartë nëse ai është i dyshuar apo viktimë në këtë rast, sipas policisë lokale.

Roxeanne Vainuku, zëdhënëse e policisë për West Valley City, një periferi e Salt Lake City, tha se mendohet të jetë një incident i izoluar dhe “ne nuk besojmë se ka një të dyshuar të lirë”.

Nuk është bërë e ditur se si kanë vdekur pesë personat dhe ekipet mjeko-ligjore kanë qenë në shtëpi si pjesë e një hetimi për vrasje.

Policia u alarmua të martën nga një i afërm i shqetësuar i cili hyri në shtëpi nga garazhi dhe gjeti të gjallë 17-vjeçarin.

Kur oficerët arritën, ata zbuluan viktimat në pjesën kryesore të shtëpisë.

Policia u thirr fillimisht në shtëpi të hënën pasi një i afërm tha se gruaja që jeton atje nuk kishte kontaktuar për disa ditë. /Telegrafi/

Exit mobile version