Nuk e kuptojë, por shpesh më bënë përshtypje prirja që kemi për rivalitete, në të shumtën e herëve, fare të kota. Sidomos kur parapëlqejmë ta zbulojmë patriotin. Kush e do më shumë pavarësinë e Kosovës, e kush më pak? Kush po punon për të, e kush po e shet? Nëse deri vonë provokonte lufta, e cila krijonte situata me të rrahura gjoksesh, kush kam qenë unë, e kush ke qenë ti? Ku isha unë e kush ishe ti? Nuk jemi më ndryshe as tash kur për temë kemi dialogun me Beogradin. Nuk e di nëse më kanë bërë veshët, por më duket që kryeministri ynë, tri ditë më parë, deklaroi se me marrëveshjen e fundit IMB, domethënien e të cilës, vartësi i tij, Bujar Bukoshi s’e kuptonte, sikur tha që Serbia na ka njohur.
Me marrëveshjen e fundit pra, gjithnjë sipas Thaçit, Serbia paska njohur kufijtë e Kosovës. Kështu tha edhe Edita Tahiri, një ditë më parë se shefi i saj. Gjithsesi deklarata tundues për çdo të dremitur, e të lodhur nga kjo situata e rëndë izolimi e pa perspektive. “Uaaaa…! Mrekulli! Tani që na paska njohur Serbia, do të na njohin edhe pesë vendet e BE-së; Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja. Pasi të na njohin ato, do të përfitojmë nga liberalizimi i vizave, Komisioni Evropian s’do të ketë arsye të injorojë marrëdhëniet kontraktuale me Kosovën. Hallall qeveri!”, e çka nuk do t’i shkonte në mend qytetarit, sikur përgjumjen nëpër këto ‘të mirat’ e IBM-it, të mos e prishte ofshama e ndonjërit prej familjarëve të tij. “Zoti qafen ua theftë! Edhe ditën 6 orë nuk patëm rrymë qe tash… Sërish na lanë në terr”, do të reagonte dikush ndaj KEK-ut që ua lë në gjysmë edicionin e lajmeve dhe komentet triumfaliste për marrëveshjen e menaxhimit të integruar të kufijve. KEK-u i kthen në realitet, te qirinjtë, të domosdoshëm për tua parë fytyrat njëri-tjetrit.
Për të mos u zhytur thellë në intermexot e herëpashershme, të cilat BE s’ka mundur t’i përfshijë në pakon e të mirave që ofron liberalizimi i vizave. Ato i kemi prej shtëpisë – Qeverisë së Kosovës. Dhe në ambiente romantike, me pak dritë, sharjet kanë lezet. “Hoqën dorë nga pavarësia… Shkelën kushtetutën… Turp! Turp! Shfryrje pa kursim, sepse s’ke çfarë thua tjetër. Kur nuk e njeh një problem më së lehti është ta lëvdosh, siç veprojnë zakonisht qeveritarët tanë, apo t’ia lëshosh një rrebesh fyerjesh e kritikash, siç dinë opozitarët. Për këto variante, nuk duhen analiza, as shembuj, as shifra. Mjafton ngjyra, nëse je për ta fasaduar edhe pse nuk është aspak korrekte. Aq më tepër që në këtë kohë burimet e informacionit janë aq të mëdha se që mallin s’mund ta shes për tjetër nga çfarë është në ai në të vërtetë.
Edhe marrëveshjeve, atyre të parave dhe kësaj të fundit, është kot t’u thuren lavde. Siç është e pa qëndrueshme të thuhet sikur me të është hequr dorë nga elementet e shtetësisë e broçkulla të tjera. Janë disa të tjerë që e kanë krijuar dhe që e ruajnë dhe nuk e lënë zhbërjen e tij, edhe sikur të donte qeveria, edhe sikur të donte opozita. Ata kështu dinë ta mbrojnë dhe nuk na kanë faj që as pas 12 vjetësh pa Serbinë, ne si shoqëri s’po arrijmë të nxjerrim politikan që di çfarë duhet dhe si duhet bërë, pas pasur nevojë t’i shikojë dyert se kush po shkon për t’ia treguar detyrat. Pa pasur nevojë të manifestojë as arrogancë edhe ndaj sugjerimeve, të atyre që hapin ato dyer. Atëherë dialogu do të mund të menaxhohej më ndryshe. Do të mund të niste për tema të interesit të ndërsjellë, por jo ky, të cilin Serbia dëshironte ta përdorte para opinionit të saj të brendshëm sikur po vazhdon kursin e afrimit kah BE-ja, premtim ky me të cilin Tadiq kishte ardhur në pushtet. Dhe është po ky që gjatë gjithë kohës, instruktonte vartësit e tij, që rezultati i dialogut të mos kuptohej në opinion se në një mënyrë a tjetër, Serbia po pranonte Kosovën. Prandaj, ata edhe kur pajtoheshin për diçka, nuk e zbatonin.
Prandaj, ata edhe tani, vazhdojë ta quajnë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Ajo, edhe marrëveshjet, kështu i komenton, si të tilla që nuk janë në kundërshtim me rezolutë 12 44 dhe këto pohime ua konfirmon edhe sekretari Bann Ki-Moon, edhe teksti i publikuar i marrëveshjes IBM. Shikuar gjërat nga ky kënd, Serbisë nuk i goditen pretendimet, ani që ato janë të rrejshme, ani që ajo realisht, referuar situatës faktike, përjashtuar pjesën veriore, është krejt ndryshe nga si e pretendon Serbia. Një territor mbi të cilin që pas humbjes së luftës, Serbia nuk ka kontroll, territor në të cilin ka disa politikanë që s’i kanë emrat as Vuk, as Ivica, as Borisllav, e të cilët, për disa arsye, nuk ia kthejnë fjalën bashkësisë ndërkombëtare. Ndryshe, po të pyeteshin, nga frika se do të dukeshin më pak patriot, s’do të hynin në dialog dhe do të na shfaqeshin, natë e ditë nëpër televizorë, duke numëruar të bëmat e zezat të Serbisë në Kosovë. Meqë s’e kanë këtë mundësi, tani na dalin të moderuar, na flasin për modele evropiane e çka jo. Ani… Tani kanë mundësi ta shohin si shpërblehet politike e homologëve të tyre serbë. E financimit të strukturave paralele në Kosovë, e nxjerrjes së njerëzve në rrugë, e sulmit të armatosur mbi ushtarët e KFOR-it, e talljeve me kërkesat e liderëve të BE-së. Sot, Brukseli e konfirmoi refuzimin e kandidaturës së Serbisë. Tash mbetet koha për bilance. Nëse jo Tadiq, serbët janë humbës gjithsesi. Prandaj, nuk është thënë kot: gjithçka ka çmimin e saj. Serbët humbën një rast për të bërë një hap më shumë drejt BE-së.