Njëherësh ky është turneu i parë që organizohet si pjesë e kalendarit të Federatës së Boksit Ndërkombëtar (AIBA). Sipas kryetarit të Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, ecuria e përgatitjeve po shkon sipas planit dhe pritet një turne i fortë.
“Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për turneun i cili është i 15-të më radhë e që njëherësh është edhe në kalendarin e AIBA. Për të pasur një organizim si duhet kërkon shpenzime bukur të mëdha”, tha Selimi. Sipas boksierit të mirënjohur aktualisht sekretar i përgjithshëm i FBoxK, Mehmet Bogujevci, shumë shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, madje kërkesë për të marrë pjesë në këtë turne kanë bërë edhe boksierë nga shtetet si Nigeria, Nepali e Panama.
“Ka interesim të madh për këtë turne. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar boksierët nga Italia, Çekia, Bullgaria, Shqipëria, Zvicra, Gjermania, Austria, etj…”, tha Bogujevci, duke njoftuar se shpërblimi për boksierin më të mirë është 500 euro. Sa i përket boksierëve kosovarë, atyre i është mundësuar të përgatiten në Mitrovicë dhe janë 5-6 boksierë që do të llogarit përzgjedhësi Xhevdet Peci. /Zëri/Telegrafi/