Komisioni Shtetëror i Maturës, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për afatin e dytë të testit të maturës për këtë vit, i cili do të mbahet më 28 gusht dhe 1 shtator.
Në këtë afat testi do të realizohet në të gjitha komunat në të njëjtën ditë, jo siç është realizuar në afatin e parë i ndarë në regjione. Këtij testi pritet t’i nënshtrohen rreth 7 mijë nxënës.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën, se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë siguruar të gjitha të dhënat nga komunat e vendit.
“Realisht Divizioni për Vlerësim Standarde dhe Monitorim, sipas planit të vet ka përgatite planin operativ për afatin e gushtit dhe gjithçka është duke u realizuar sipas ati planifikimi. Tani vetëm kërkesat e testit për afatin e gushtit janë përfunduar dhe hartuar”, tha Kadriu.
Ai bëri të ditur se në këtë afat testi i maturës do të realizohet në të gjitha komunat në të njëjtën ditë për dallim nga afati i kaluar që është ndarë në regjione.
Sipas tij, edhe menaxhimi në ketë afat nuk do të jetë problem për arsye se nuk ka numër të madh të nxënësve.
“Mbarëvajtja e testit në afatin e dytë jep për të kuptuar që nuk do të jetë ndarja e si në afatin e kaluar në regjione po do të realizohet vetëm për dy ditë. Dhe menaxhimi nuk do të jetë problem ketë afat sepse maksimumi do t’i kemi rreth 7 mije 300 nxënës. Andaj nuk ka nevojë të humben me shumë dite për angazhim”, tha ai.
Për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit ka angazhuar administratorë në tërë Kosovën si dhe monitorues e komisionerë.
Pjesa e parë e testit do të përfshijë lëndët e përgjithshme, gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë angleze, ndërsa pjesa e dytë janë lëndët e profesionit. Ndërkaq, në bazë të Ligjit për Maturën, kalueshmëria është me 40 për qind të pikëve.
Foto: Arkiv/Ilustrim