Duke filluar nga nesër (e hënë) në ekranin e RTV Dukagjini, do të rikthehet emisioni i shumëpritur “Detektivi”.
Nën drejtimin e prezantueses Edita Doli, “Detektivi” edhe këtë sezon për 30 ditë rresht do të sjellë para shikuesve aftësitë gjurmuese të shqiptarëve për të zbuluar të vërtetat e ngjarjeve të ndryshme.
Në një bisedë për Telegrafin, drejtoresha e programacionit në RTV Dukagjini dhe njëherësh prezantuesja e “Detektivit”-it, Edita Doli, tregoi risitë që ky emision ka sjell këtë sezon.
“Kemi bërë përgatitjet intenzive dhe jemi gati për të filluar tashmë sezonin e dytë. Risi në këtë sezon është poligrafi (makina e së vërtetës), e cila do të ndihmojë në zbardhje ne vërtetësisë në përgjigjen e garuesve. Besoj do të jetë interesant dhe do t’i japë një kahje pak më ndryshe lojës”, ka thënë Doli për Telegrafin.
Ndonëse gjendet çdo ditë pranë shikuesve dhe dëgjuesve të RTV Dukagjinit përmes emisionit të saj “Radar”, Edita shprehet se eksperienca me emisionit “Detektivi” është e veçantë dhe mezi pret që të nisë me këtë sezon të ri.
“Mezi po pres, jam shumë e emocionuar për sezonin e ri. Besoj do të jetë një rrugëtim i veçantë me shumë garues dhe aq sa është për mua, besoj emocionues do të jetë edhe për ata që na ndjekin”, thekson prezantuesja.
Që në nisjen e tij në sezonin e parë, “Detektivi” zgjoi një interesim të madh te shikuesit.
Formula e veçantë e garimit por edhe premia kryesore në fund ishin elementet që tërhoqën shikuesit, duke pyetur vazhdimisht për nisjen e sezonit të ri.
“Që nga viti i kaluar kur doli për herë të parë, ‘Detektivi’ ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm me njerëzit që vazhdimisht na pyesnin se kur do të fillonte sezoni i ri, dhe më në fund ja ku jemi – në një sezon të dytë përplot emocione dhe befasi për ta”, tregoi Edita.
Duke filluar nga e hëna e 9 gushtit, “Detektivi” do të transmetohet çdo natë në 22:15 në RTV Dukagjini dhe në rrjetet sociale të emisionit. /Telegrafi/