Site icon Telegrafi

Gjithçka gati për mbajtjen e Karnavalit të Vevçanit në Shkup

Komuna e Vevçanit njoftoi se janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e “Karnavalit të Vevçanit”, i cili do të mbahet në datat 12-14 janar, me të cilin shënohet Viti i Ri sipas kalendarit të vjetër, raporton Anadolu Agency.

Në konferencën për mediat, në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, organizatori i njërit nga eventet më të rëndësishme kulturore në Maqedoni, shpalosi detajet e Karnavalit për të cilin tha se përveç defilimit të maskave, do të shoqërohet më një program të pasur argëtues ku do të performojnë emra të shquar të muzikës.

Ministri Allagjozovski, në fjalimin e tij, tha se “Karnavali i Vevçanit”, tashmë është shndërruar në një brend të njohur sepse ka arritur të bëjë një gërshetim të traditave me kulturën kritike, ndërkohë që theksin e vendosi tek potenciali që përmes tij të zhvillohet turizmi rural dhe ai kulturor, që është në përputhje me vizionin e ministrisë të cilën e drejton.

“Përkrahja e Ministrisë së Kulturës për karnavalin në fjalë vazhdon edhe më tutje, për çka presim një edicion mjaft të suksesshëm këtë vit, i cili do të paraqesë një bazë të shëndoshë që në të ardhmen të mund të realizojmë idetë tona. Nëse flasim për decentralizim të kulturës, lirisht mund të themi se Karnavali i Vevçanit është një shembull i tillë”, tha Allagjozovski.

Kryetari i Komunës së Vevçanit, Sasho Jankovski tha se pjesëmarrësit e Karnavalit e kanë lirinë e plotë që përmes kreativitetit dhe improvizimit të shprehin kritikën dhe ironizmin me zhvillimet shoqërore të vitit të kaluar.

“Me energjinë e akumular e cila kulmon gjatë Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, më 13-14 janar Vevçani shndërrohet në një teatër të hapur dhe qendër joformale e satirës”, tha Jankovski. Ai tha se pret vizitorë të shumtë nga vendi dhe jashtë, nga shkaku se këtë vit, karnavali do të mbahet në ditët e fundjavës.

Ndryshe, Karnavali i Vevçanit konsiderohet si një nga kuriozitetet më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoni me traditë 1.400 vjeçare.

Ky karnaval përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe “Karnavali i Vevçanit” janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).

Exit mobile version