Site icon Telegrafi

Gjirafa njëra ndër kompanitë më të suksesshme të teknologjisë në Evropë (Infografikë)

Hapësira e Gjirafa.com | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Motori shqiptar i kërkimit Gjirafa, çdo ditë e më shumë është duke u pozicionuar si një ndër kompanitë më të suksesshme dhe mirë-financuara në Evropë. Këtë e ka konfirmuar edhe CB Insights, e cila merret me analizimin e financimit të bizneseve fillestare.

Duke përdorur të dhënat e CB Insights, Gjirafa deri më tani ka pranuar 8.7 milionë dollarë nga katër investime. Investimi i fundit prej 6.7 milionë dollarë i Serisë B ishte nga Rockaway Capital dhe disa investitorë amerikanë, përcjell Telegrafi.

Në krye të listës të kompanive inovative të teknologjisë që ka marr një investim venture capital është OneWeb nga Britania e Madhe që ka marr një investim prej 3.4 miliardë dollarësh, pasuar nga Auto1 Group nga Gjermania e cila merret me shkëmbimin e veturave të përdorura dhe kompania zvicerane Veeam Software e cila merret me cloud computing [ruajtja dhe përpunimi i të dhënave në rè].

Gjirafa në top kompanitë mirë-financuara në Evropë

Rockaway Capital ka filluar me investimin e parë në Gjirafa në muajin shkurt të vitit 2016 me qëllim që të përkrahë kompaninë në planin e saj për tu bërë pionier i ekonomisë së internetit në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Në tri vitet e fundit, Gjirafa jo vetëm që ka arritur këtë objektiv, mirëpo i ka tejkaluar shumë nga to, ku produktet e Gjirafës tashmë janë lider në shitjen online, video-përmbajtje dhe marketing dixhital. Fokusi i Rockway Capital është ndërtimi i një rrjeti të tërë rreth Gjirafës me shërbime tjera inovative që do të përdoren në rajon.

Lexo po ashtu Gjirafa merr investim prej 6.7 milionë dollarë të Serie B nga Rockaway Capital dhe investitorë amerikanë për dixhitalizimin e Ballkanit

Edhe në raportin “Bizneset fillestare për vitin 2018 në Evropën Juglindore“, prezantuar nga ABC Acceletaror dhe EIT Digital, Gjirafa ishte njëra nga katër kompanitë që premton shumë për të ardhmen e fushës së inovacionit në këtë rajon.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Gjirafa, Mërgim Cahani, në një intervistë për Telegrafin kishte treguar se investimi i fundit prej 6.7 milionë dollarë do të jetë për dixhitalizimin e Ballkanit.

Lexo po ashtu Cahani nga Gjirafa: Investimi 6.7 milionë dollarësh do të jetë për tregun shqipfolës (Video)

“Investimet e tjera kanë ardhur prej disa investitorëve që ne i quajmë investitorë engjëj, pastaj kanë ardhur disa investime nga Seria A të Rockaway Capital, ku ka qenë 2 milionë dollarë dhe është Seria B prej 6.7 milionë dollarë. Në total kemi marrë afër 10 milionë dollarë me synim që të ndryshojmë thellësisht ekonominë e internetit, që do të thotë shërbime për konsumatorin online për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, ka thënë Cahani.

Gjirafa është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesor i së cilës është makina kërkimore Gjirafa.com. Kompania ka platformën e reklamimit në internet e njohur si Gjirafa AdNetwork, shërbimi i shitjes online Gjirafa50.com dhe GjirafaMall.com, video platforma me përmbajtje ekskluzive GjirafaVideo dhe platforma e pikave të interesit dhe bizneseve nën emrin Gjirafa.biz. /Telegrafi/

Exit mobile version