Sipas raporteve të Doganës nga viti 2013 deri në vitin 2017, ka ngritje të importit të qumështit pluhur dhe hirrës pluhur, kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, thotë se kërkesat për produkte vendore janë rritur dukshëm.
Në një intervistë për KosovaPress, ai bëri të ditur se kjo rritje e kërkesës për produkte vendore është më e theksuar për produktet e qumështit.
Me këtë rast, ai tha se prodhuesit i kanë ngritur kapacitetet e tyre prodhuese. “Ne vet jemi çdo ditë në teren dhe e shohim se gjithmonë ka kërkesë në ngritje për përdorimin e qumështit apo për përdorimin e qumështit vendor. Ka kërkesa për grumbullimin e sasive të konsiderueshme të qumështit vendor, dhe kjo gjithmonë është realizuar falë mbështetjes institucionale, dhe nga AUV, mirëpo edhe kampanjave të cilat janë zhvilluar në drejtim të promovimit të produkteve vendore, qoftë të qumështit të pasterizuar dhe tani me kampanjën e djathit”, tha kryeshefi i AVUK-ut.
Gjinovci tha se deri para dy vitesh Kosova ka pasur problem me qumështin, gjegjësisht me tepricat e qumështit të pasterizuar, gjë që ka bërë që të ketë edhe mungesë të lëndës së parë. Mirëpo sipas tij, duke parë se çka ofrohet tek qytetarët e vendit, ka zhvillime pozitive në këtë drejtim.
“Pikërisht edhe kampanja e cila është zhvilluar, qoftë edhe kampanja për qumështin e pasterizuar dhe kampanja për djathin nga qumështi, është bërë me të vetmin qëllim për të zëvendësuar këto produkte që vijnë nga importi. Mbi të gjitha, për të ndihmuar edhe në ngritjen e kapaciteteve prodhuese, për shfrytëzimin e lëndës së parë nga fermerët e vendit”, tha ai.
Siç tha ai, është obligim ligjor, që të gjithë prodhuesit të deklarojnë përmbajtjen e produkteve.
“E para, të gjitha importet që realizohen janë importe të cilat i nënshtrohen kontrollit të detajuar të AUV-it. E dyta, sa i përket përdorimit, të gjitha këto produkte shkojnë për industritë përkatëse. Mirëpo ajo çka është e rëndësishme, të gjitha janë të dokumentuara, janë të kontrolluara dhe mbi të gjitha, ajo që ja vlen të përmendet është se të gjithë janë të detyruar të deklarojnë produktin të cilin ata e përdorin për prodhimin e produkteve ushqimore, në këtë rast produktet e qumështit”, theksoi Gjinovci.
Kryeshefi i AUV-it ka hequr dilemat rreth efekteve anësore që mund të ketë përdorimi i madh i qumështit pluhur, duke thënë se sikur të kishte diçka të tillë, ky produkt i përdorur si lëndë e parë, nuk do të shitej e madje as prodhohej.
“Qumësht pluhur, vet emërtimi qumësht pluhur, kuptohet sikur të kishte efekte anësore ai nuk do të ishte në shitje apo nuk do të prodhohej. Kështu që të mos krijohen interpretime të panevojshme apo të paarsyeshme, e shpeshherë edhe të qëllimshme. Sikur të kishte efekte anësore ai nuk do të ishte prodhuar nga vet prodhuesit dhe nuk do të ishte certifikuar nga ta dhe nga institucionet përkatëse të cilët ata i autorizojnë për prodhimin e tyre”, ka sqaruar ai.
Sipas raporteve të Doganës në vitin 2013 ka pasur 217 mijë e 944 euro import të qumështit pluhur dhe hirrës pluhur, ndërsa në vitin 2017 ka pasur 2 milionë e 57 mijë 486 euro, që i bie se ka pasur ngritje të importit të qumështit pluhur dhe hirrës pluhur. /Telegrafi/