Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar pasi u shoqërua në polici së bashku me aktivistin Dibran Hoxha për “pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Ai ka thënë se së bashku me Hoxhën u arrestuan si kriminelë, ndërsa “plagjiatori” u la para studentëve me dhënë mësim.
“Na arrestuan neve e na larguan nga Fakulteti si kriminela të prangosur. Plagjiatorin e lanë para studentëve tu “dhanë mësim””, ka shkruar Gjinovci.
Gjinovci ka thënë se nuk e kanë ndërmend të ndalen dhe nuk do ta lejojnë normalizimin e plagjiaturës.
“Por na s’e kena njet mu nalë. Nuk kemi me leju normalizimin e plagjiaturës. Kjo e sodit është veç fillimi”.
Ai ka shtuar se aksionet e tyre do të jenë të paparashikueshme, dhe çdo mëngjes do të mendojnë si do të veprojnë deri në përjashtimin e plotë të atyre që janë zënë duke bërë plagjiaturë.
Sot aktivistët e ORCA-s, Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci, u arrestuan pas aksionit ndaj plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik.
Një njoftimin e ORCA-s thuhet se, ne u arrestuam, por do të vazhdojmë luftën kundër plagjiaturës.
“Pasi procedurat për vendimin përfundimtar për rastin e plagjiaturës Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati po marrin kohë siç ndodhë rëndon në Universitetin e Prishtinës, kemi vendosur që nga tash e tutje të kalojmë në aktivizëm gueril. Në të gjitha rastet kur institucionet tregohen të paafta për t’i jetësuar vendimet meritore ndëshkuese për kryesit e shkeljeve, ORCA do të reagojë duke iu pamundësuar kryesve aktivitetin e tyre të përditshëm normal. Nuk mund të ketë normalitet në situatë jonormale. Është jonormale që një profesor i dënuar për plagjiaturë të vazhdojë të shfaqet para studentëve, prandaj ne po e normalizojmë situatën duke mos lejuar që kjo të ndodhë. Ne u arrestuam, por do të vazhdojmë luftën kundër plagjiaturës!”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate./Telegrafi/