Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për fillimin e projektit më të madh në Gjakovë “Shëtitorja Krena”, i cili do të fillojë sot rreth orës 11:00.
Gjini tha se lumi Krena është kanal i ujërave të zeza dhe me këtë projekt sipas tij do të evitohen ato duke e shndërruar në një shëtitore, përcjell Telegrafi.
“Sot e nisim shëtitoren e Krenës. Nuk ka shëtitore fare. Lumi Krena që është një kanal i ujërave të zeza sot do të filloj të ndërtohet si shëtitore. Do të evitohen ujërat e zeza, është një projekt që do të zgjas por është një nga projektet më të mëdha që do të nis në Gjakovë. Po sot në orën 11:00 i nisim”, ka thënë Gjini.
Gjini ka bërë të ditur se ky projekt është projekt i komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit.
“Do të jenë dy kolektorë në të dy anët dhe pastaj do të shkojë të shkarkohet tek impianti që ka nisë me u ndërtu”, u shpreh tutje ai.
Gjini po ashtu foli edhe për rrugën “Cabrati”, e cila ndodhet tek fakulteti i mjekësisë ku tha se në punimet që janë bërë nga KEDS-i ajo rrugë ka mbetur e parregulluar, mirëpo siç tha ai, shumë shpejt do të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“Kemi biseduar edhe me kontraktorët dhe me KEDS-in. Ju nevojitet pak kohë, sepse është një kohë kur qitet dheu për shkak se nëse e qesin menjëherë asfaltin atëherë ai sharron. Duhet një kohë, por kthehet shpejt”, ka thënë Gjini. /Telegrafi/