Telegrafi

Gjini: Populli nuk e ka kuptuar sa gabime ka bërë Qeveria Kurti për 50 ditë

Nënkryetari i AAK-së dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka komentuar zhvillimet e fundit politike që lidhen me formimin e koalicionit LDK-AAK.

Gjini në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova ka pasur nevojë qe Vetëvendosje të qeverisë edhe tre muaj në mënyrë që “qytetarët ta shohin sa gabim ka qeverisur”.

“Unë mendoj se nuk ka masë të mjaftueshme të njerëzve që e kanë kuptuar se sa gabime ka bërë kjo qeveri. Ne jemi duke parë tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë. Na kanë lodhur prej 20 vitesh me këtë tenderë. Shikojeni se çfarë po bëjnë tani. Kemi parë edhe bordet. Shikojeni se çfarë po bëjnë tani me bordet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nënkryetari i AAK-së duke folur për debatet e së kaluarës me LDK-në ka thënë se politikanët në Kosovë duhet të mësohen se deklaratat do të regjistrohen.

“Mirëpo nuk është arsye e mjaftueshme të vendoset për koalicione duke u bazuar në deklarata të së kaluarës…Nëse ne do të marrim statuset e Facebook-ut që janë bërë para tri, katër apo më shumë viteve askush me askënd nuk do të bënte koalicione”.

Lexo po ashtu Nitaj: Gjërat që na bashkojnë me LDK-në janë shumë më tepër se ato që na ndajnë

“Edhe LDK mund të gjen ndonjë status timin që ka qenë shumë i rëndë, por statuset nuk janë arsye për të mos u bërë koalicione”.

Gjini ka thënë se megjithatë është koha që secili të reflektojë për deklaratat që bënë në adresë të subjekteve tjera politike./Telegrafi/