Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini në konferencë për medie ka thënë se e vetmja pikë që mund të jetë diskutabile në koalicionin qeverisës është dialogu me Serbinë, për disa nga pikat e të cilit ai tha se do të duhej të rishikoheshin.
Gjini tha se gjatë takimit të sotëm në AAK nuk është diskutuar për dalje nga koalicioni, pasi nuk ka qenë në rend dite.
Ndërkaq, sipas tij pika më e ndjeshme e koalicionit me LDK-në është procesi i dialogut.
“E vetmja pikë që mundet me qenë diskutabile është dialogu. Sot kemi diskutuar vetëm për dialogun, e cila është pika më e ndjeshme. Do të ketë raund tjetër në Bruksel. Aleanca nuk ka diskutuar sot për dalje nga dialogu, por ka pasur deputetë që kanë dashur të flasin, por nuk ka qenë pikë e rendit të ditës”, tha Gjini.
Këto komente, Gjini i bëri pas takimit që u mbajt me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në selinë e tyre në Prishtinë. /Telegrafi/