Site icon Telegrafi

Gjini flet për dialogun: Shtetet evropiane negociuan 13 vjet për marmelatën e çokolatën

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se Kosova ka shumëçka për të diskutuar me Serbinë në dialog.

“Shtetet evropiane kanë negociuar 13 vjet për marmelatën dhe çokolatën. Nuk po dua të them se edhe ne me Serbinë do të negociojmë për marmelatën e çokolatën por kemi shumëçka për të negociuar. Kosova duhet ta ketë listën e saj se për çfarë duhet të negociojë”, tha Gjini në “Debat Plus”.

Gjini thotë se duhet ditur se në këtë dialog nuk janë vetëm Kosova dhe Serbia por ka shumë faktorë tjerë.

“Kosova duhet të shkojë me platformë të vet në dialog që nuk do të lejojë prekjen e kufijve dhe funksionimin e  shtetit demokratik, tjerat gjëra mund të shihen”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nënkryetari i AAK-së thotë se edhe Haradinaj ia ka thënë sot Kurtit se AAK nuk është e interesuar që Qeveria e Kosovës të dështojë në Kuvend.

“Ne jemi të interesuar që Qeveria të ketë sukses në dialog dhe ne te jemi pjesë e atij suksesi për aq sa na takon në Kuvend”, deklaroi ndër të tjera Ardian Gjini./Telegrafi/

Exit mobile version