Site icon Telegrafi

Gjini: AAK nuk ka plane për koalicion me PDK-në

Pas zgjedhjes së Kadri Veselit në krye të PDK-së, u tha se kjo bëri që partitë opozitare të “zbusin” qëndrimet e tyre karshi Partisë Demokratike të Kosovës. Madje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shfaqur rivalitetin më të madh ndaj PDK-së, u tha se me këtë të fundit partia e Ramush Haradinajt mund të bëjë koalicion paszgjedhor.

Në media sot u tha se arsyeja e cila ka bërë që AAK-ja të largojë vijat e kuqe nga PDK-ja ka qenë pikërisht largimi i Hashim Thaçit nga posti i të parit të kësaj partie.

Mirëpo, kjo gjë sipas nënkryetarit të parë të AAK-së, Ardian Gjini është një gënjeshtër.

Ai ka thënë për Telegrafin se aktualisht AAK nuk e ka në plan të bëjë koalicion me askënd.

“Është gënjeshtër. Aleanca nuk e ka në plan të bëjë koalicion me askënd. Ne duam t’i fitojmë zgjedhjet e pas kësaj do të shikojmë se kënd do ta marrim në koalicion”, u shpreh Gjini për Telegrafin.

I pyetur se a do të thotë kjo se edhe PDK-ja mund të jetë pjesë e partive që pas zgjedhjeve do ta shqyrtoni mundësin për një koalicion, Gjini ka thënë se këtë do ta shohim pas fitores së zgjedhjeve.

“Ua dhashë përgjigjen këtë do ta shohim pasi që t’i fitojmë zgjedhjet”, tha Gjini.
E sa i përket vijave të kuqe, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se pas zgjedhjeve partia e tij nuk do të ketë vijë të kuqe për asnjërën parti parlamentare, duke mos përjashtuar as PDK-në.

“Si fitues të zgjedhjeve nuk do të vëmë vija të kuqe për asnjërën nga partitë parlamentare. Kur voton qytetari nuk vëmë vija të kuqe”, kishte deklaruar Haradinaj muajin e kaluar./Jehona Hulaj/Telegrafi/

Exit mobile version