Berat Gjimshiti ka qenë shumë pranë largimit nga Atalanta pas gjashtë viteve qëndrim në Bergamo.
Mbrojtësi shqiptar u tundua nga një ofertë e madhe nga Katari, por në fund vendosi t’i qëndroj besnik klubit zikaltër.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm duke fituar Ligën e Evropës, Gjimshiti ka vendosur të qëndroj në Bergamo për të luajtur në Ligën e Kampionëve me klubin zikaltër.
E për vendimin e tij ka folur edhe trajneri Gian Piero Gasperini, duke thënë se e mirëkupton mbrojtësin shqiptar që u tundua, pasi ishte një ofertë me një pagë shumë më të lartë se sa fiton aktualisht në Bergamo.
“Ai u lëkund dhe duhet mirëkuptuar, pasi është normale që në një botë superprofesioniste, dikush tundohet nga disa oferta të caktuara”, deklaroi trajneri italian, i cili kërkoi nga futbollistët e tij mos ta përsërisin gabimin që e bënë futbollistët e Napolit.
“Ajo që nuk duhet të ndodhë te ne është ajo që i ndodhi Napolit, që bën një sezon të jashtëzakonshëm dhe fiton titullin me 20 pikë avantazh ndaj të tjerëve e pastaj një vit më vonë nuk u kualifikua as në Evropë”, tha Gasperini. /Telegrafi/