Telegrafi

Gjimshiti: Nuk mendoj për të ardhmen, jam mirë te Atalanta

Berat Gjimshiti

Berat Gjimshiti ka mbushur në janar gjashtë vite që është pjesë e skuadrës italiane Atalanta.

Qendërmbrojtësi shqiptar ka qenë për dy vite i huazuar, një herë te Avellino dhe një herë tjetër te Benevento.

Sot lojtari nga Lugina e Preshevës është një mbrojtës titullar te Atalanta dhe ndër më të mirët në Serie A.

Përkundër se ka pasur interesime të shumta për shqiptarin, ai thotë se ndihet mirë te Atalanta dhe nuk e ka ndërmend të largohet njëherë.

“Nuk mendoj për të ardhmen. Mund të them sinqerisht se nuk e prisja të qëndroja kaq gjatë në Itali. Unë jam mirë te Atalanta dhe jam i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat”.

“Dua të bëhem më i fortë dhe jam në mjedisin e duhur. E di që mund të jap edhe më shumë”, u shpreh mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti.

28-vjeçari ka folur edhe për gjermanin Robin Gosens i cili u transferua te Interi, pasi me të kishte një shoqëri të madhe.

“Humbëm një pjesë të rëndësishme. Ai shënonte shumë gola dhe jepte shumë asist. Robin është një person i mrekullueshëm. Jam i lumtur për të, sepse ai e donte këtë hap dhe e meriton”, u shpreh Gjimshiti.

Ish-anëtari i skuadrës zvicerane Zurich, që gjashtë vite te Atalanta ka zhvilluar 141 ndeshje ku ka shënuar edhe katër gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë. /Telegrafi/