Telegrafi

Gjimshiti nuk ka COVID, Gasperini tregon arsyen pse mungoi mbrojtësi shqiptar

Berat Gjimshiti

Berat Gjimshiti ishte projektuar si titullar për ndeshjen e Kupës së Italisë që Atalanta e fitoi 2-0 ndaj Venezias.

Mirëpo të gjithë u habitën kur me të filluar ndeshja mbrojtësi shqiptar nuk ishte në fushë, por as në bankën rezervë.

Mediat e ndryshme në Itali raportuan se Gjimshiti ishte infektuar me COVID-19, pasi edhe ka raste të shumta tek Atalanta.

Por nuk kishte të bënte aspak me Covid, pasi trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini ka zbuluar arsyen pse ka munguar reprezentuesi i Shqipërisë.

“Gjimshiti nuk ka Covid, ai ka problemet me bajamet, por që ka rezultuar negativ”, tha fillimisht Gasperini.

“Lojtarët e tjerë kanë rezultuar pozitivë, por ndoshta me Interin mund të rikthehen dhe në këtë mënyrë do të kemi një grup të plotë me futbollistët. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Gasperini.

Atalanta fitoi 2-0 ndaj Venezias në 1/16 e finales duke kaluar në çerekfinale të Kupës së Italisë. /Telegrafi/