Site icon Telegrafi

Gjimshiti dëshiron ta fitojë Kupën me Atalantën dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve

Berat Gjimshiti. (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Atalanta është befasia më e këndshme këtë vit në kampionatin italian Serie A.

Skuadra zikaltër ka befasuar të gjithë duke u renditur në pozitën e pestë në kampionat me pikë të njëjta me Milanin në vendin e katërt.

Në anën tjetër bergamaskët kanë siguruar edhe finalen e Kupës së Italisë, ku do të përballen me Lazion, pasi eliminuan Juventusin dhe Fiorentinën.

Njëri nga lojtarët kyç në suksesin e Atalantës këtë edicion është edhe mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti.

Qendërmbrojtësi nga Kosova lindore ka thënë se skuadra e tij e ka kuptuar herët që është për Ligën e Kampionëve.

Andrea Masiello, Berat Gjimshiti dhe Alejandro Gomez duke festuar kalimin në finalen e Kupës së Italisë. (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

“Mendoj se e kemi kuptuar shpejt që jemi për të shkuar në Ligën e Kampionëve, pasi kemi parë ndeshjet që kemi luajtur ndaj skuadrave të mëdha, në të cilat kemi bërë shumë mirë, madje dhe kemi fituar”, tha mbrojtësi nga Tërnoci.

Gjimshiti dëshiron që ta mbyll këtë edicion duke fituar trofe dhe zikaltërtit e kanë këtë mundësi në finale të Kupës së Italisë.

“Nuk mendojmë për lojtarët që ka Lazio, pasi të gjithë janë të mirë në Serie A. Mendoj se ne jemi ekip më i mirë dhe në çdo ndeshje futemi për ta fituar atë”.

“Kështu duhet të jetë edhe në finale të triumfojmë për ta kompletuar sezonin e mirë”, përfundoi Gjimshiti. /Telegrafi/

Exit mobile version