Telegrafi

Gjimnazistët në Dibër e bojkotuan ditën e parë të shkollës, nesër do të protestojnë

Nxënësit e shkollës së mesme komunale “28 Nëntori” në Dibër, sot e bojkotuan fillimin e vitit shkollor.

Siç paralajmëruan paraprakisht ata kërkojnë mësim me praninë fizike të nxënësve, pasi vlerësojnë se shkolla e tyre i përmbush të gjitha kushtet për këtë.

“Të gjithë profesorët në kohë ishin në kabinete të përgatitur për fillimin e mësimit onlajn. I kyçën kompjuterët, por për fat të keq nga ana tjetër nuk është kyçur asnjë nxënës. Shtesë me këtë, neve, si administratë, na paralajmëruan se nesër së bashku me prindërit e tyre do të protestojnë para gjimnazit”, deklaroi për AIM, drejtori Ramadan Imeri.

Në këtë shkollë të mesme të vetme në komunë, së bashku me paralelet rajonale në fshatin Mogorçe, mësimin në gjuhën mësimore maqedonase dhe shqipe e ndjekin 584 nxënës, prej tyre 156 në vitin e parë, të gjithë drejtimi i gjimnazit.

Komuna e Dibrës nuk ka marrë pëlqim për organizimin e mësimit me praninë fizike të nxënësve në asnjë shkollë, themelues i së cilit është Këshilli i komunës, që nënkupton tre nëntëvjeçare dhe gjimnazin.

Sipas Reshat Qorrmemetit, përgjegjës për arsimin në pushtetin lokal, në bazë të vendimit të MASH mësimi në shkollat fillore ka filluar pa probleme për nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e tretë me praninë fizike, ndërsa për të tjerët online.