Çështja ende e pazgjidhur e gjimnazistëve të Tetovës të paraleleve maqedonase ka përplasur Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Ministrinë për arsim dhe shkencë (MASH), përcjell Telegrafi Maqedoni.
LSDM-ja ka kërkuar që organiet përgjegjëse të zgjidhin sa më shpejtë çështjen me hapësirat për mësim në gjimnazin ”Kiril Pejçinoviq”.
Me këtë rast, LSDM-ja akuzoi se për qëllime partiake bëhet çmos që të provokohen marrëdhëniet ndëretnike, duke shfrytëzuar të miturit e shkollave të mesme, duke theksuar se kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe Ministria e arsimit dhe shkencës, ”luajnë ping pong me nxënësit”.
Ndërkaq MASH-i akuzoi LSDM-në se me kërkesën e saj ”përzien nxënësit dhe studentët në lojra politike”, duke kërkuar nga kjo parti që të përgatitë dhe të ofrojë masa konkrete dhe aktivitete për përparimin e sferës së arsimit.
Njiherit, MASH-i bën të ditur se do të shpallin tender publik për ndrërtimin e një objekti të ri, pasi që të sigurohet lokacioni dhe leja e ndërtimit./Telegrafi/