“Klubin e kemi nisur me vetëm 4- 5 veta, aty në vitin 2016 në Viti dhe pa kushte, por duke vazhduar tutje ia kemi dal dhe tani kemi mbi 40 gjimnaste”.
Kështu e nis rrëfimin e tij, Hazir Alidema, i cili ka nëntë vjet që kur udhëheq njërin ndër klubet sportive më të mira në rajonin e Anamoravës, atë të gjimnastikës me emrin “Halil Alidema” në Gjilan e Viti.
Gjimnastika është një disiplinë sportive që konsiston në kryerjen e ushtrimeve fizike në të cilat zhvillohen aftësi të ndryshme trupore si; lakueshmëria, shkathtësia dhe koordinimi, dhe po ashtu ka shumë përfitime shëndetësore.
Në një intervistë për Telegrafin, profesori i Edukatës Fizike, Hazir Alidema, i cili është̈ udhëheqës i klubit të vetëm të Gjimnastikës në rajonin e Gjilanit, ka treguar për organizimin e praktikës së gjimnastikës dhe pse ky sport është duke u popullarizuar në mesin e vajzave të reja në këtë qytet.
“Klubi i jonë i gjimnastikës është regjistruar në shtator të vitin 2016. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Gjimnastika është një sport shumë i veçantë dhe që kërkon lëvizje e shkathtësi. Është një disiplinë për të dyja gjinitë, por në rajonin tonë deri tani është parë një interesim më i madh tek vajzat.
Aktualisht, kemi 45 vajza dhe vetëm një djalë, grupmosha 4 vjeç deri në 14 vjeçare, ndërsa interesimi çdo vit është duke u rritur për këtë sport, veçmas tek vajzat. Stërvitjet i bëjmë në sallën e sporteve të shkollës 9 vjeçare ‘Thimi Mitko’ tri herë në javë. Klubi jonë vitin 2024 po e përmbyll me shume aktivitete e suksese në garat ku kemi marr pjesë, kjo edhe falë punës së palodhshme të trajnerëve”, thotë profesori Haziri shkruan Telegrafi.
“Pasioni është i madh, por s’ka kushte”
Haziri ankohet për mungesën e kushteve për këtë lloj sporti që është edhe një ndër disiplinat kryesore olimpike, ndonëse shprehet se pasioni i madh dhe entuziazmi i vajzave të reja bën që asnjëherë të mos dorëzohen.
“Nuk kemi kushte, ushtrojmë vetëm disiplinën parter, a si një klub profesional duhet të ushtrohen që katër disiplinat e këtij sporti. E kemi vetëm një dyshek që na ka ardhur prej Zvicrës. Institucionet e sportit në vend na kanë ndihmuar, por shumë pak. Duhet më shumë përkrahje për gjimnastikën. Ne nuk kemi sallë adekuate për stërvitje, po të kishim sallën siç duhet do të mbanim çdo ditë ushtrime”, shprehet Haziri mes tjerash, i cili për katër dekada ka punuar si profesor i Edukatës Fizike.
Haziri tutje tregon se klubi ka marrë pjesë edhe në aktivitete e gara të shumta në shumë qytete të Kosovës të organizuara nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës, ndërkohë që janë shpërblyer edhe me çmime të ndryshme dhe me 12 medalje.
Federata e Gjimnastikës së Kosovës ka diku 14 klube nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Ndryshe, si të gjitha sportet, gjimnastika është shumë e dobishme për shëndetin, pasi ushtron sistemin kardiovaskular dhe të frymëmarrjes dhe praktikimi i gjimnastikës zhvillon aftësi fizike si elasticiteti dhe shpejtësia dhe po ashtu ka edhe përfitime psikologjike. /Irfan Maliqi/