Site icon Telegrafi

Gjimnastika e një populli të lodhur

Nëse do të duhej të përshkruheshin tiparet e popullit, duke e personifikuar dhe duke ia veshur ato një personi të vetëm, padyshim që gjithsecili prej nesh do mund të kishte qysh në çast të parë një figurë të vetën në mendje me karakteristikat që i konsideron si më të spikatura të tij. E kësisoj, në mendjen e çdokujt do të gjendej, si të thuash, i pikturuar një popull sipas modelit dhe perceptimit individual.

Megjithatë, dua të besoj se personazhet me atë emër, ndërtuar nga imagjinata e lirë e gjithsecilit, pavarësisht ndryshimeve, duhet të kenë disa karakteristika të përbashkëta, të cilat, sipas meje, do ishin: populli një mesoburrë, i urtë, pa fjalë, veshur me rroba pune, të cilat mund të jenë dhe kominoshe të një punëtori, i cili i ka duart me kallo, flokët me thinja, që gënjejnë për moshën; shkon rrugës mendueshëm, në të shumtën e kohës me vështrimin që krijon një kënd relativisht më të gjerë se normalisht me sipërfaqen e tokës dhe të jep përshtypjen se diç flet me vete; ka, si të thuash, pamjen e një hallexhiu, hallexhi që i përtyp dhe i qan nën zë hallet e tij, duke fshehur një rebelim me petkun e urtësisë e durimit, por pa mundur të fshehë shenjat e lodhjes, të një lodhjeje, e cila sikur e shoqëron prej shumë kohësh, që i shkon duket…

Sigurisht, përtej këtyre tipareve të përgjithshme, të cilat pikasen me sy të parë tek cilido që i ka ato, çdokush do përvijonte ta plotësonte me detaje jo vetëm fizike personazhin e vet “popull”, sipas perceptimit të tij, por padyshim do ndërthurte brenda asaj figure edhe elemente, që i ka hasur personalisht, të cilët, edhe nëse nuk kanë pasur statusin e fenomenit, i kanë lënë gjurmë të thella, gjë nga e cila nuk mund të përjashtoj as veten qysh prej fillimit…

Duke dashur të shmang interpretimin për tiparet fizike të përmendura më sipër, po i mëshoj një elementi abstrakt, siç është “lodhja”. Natyrisht që lodhja është produkt i një burimi, që shpesh është i destinuar të mbetet i fshehur, si të thuash, të mos e justifikojë hapur të parën dhe, mbi të cilin mund të aludohet e supozohet pa fund, ndaj, për sa kohë që interpretimi për të, mbetet subjektiv, po përçapem ta justifikoj vet këtë tipar të pikasur në personazhin tim “popull”…

Nëse karakteristikat e përmendura më sipër prezantuan një personazh punëtor, lodhjen kurrsesi nuk do t’ia atribuoja punës në radhë të parë, sigurisht, pa e përjashtuar fare këtë të fundit po aq sa dhe papunësinë. Në fotografinë e gjërave, që kanë vulosur lodhjen e popullit, në qendër dhe që zë më shumë hapësirë aty, shoh politikën, në veçanti politikën qeverisëse.

Ndoshta diktati i pushtetit të para viteve ‘90, gati e vulosi lodhjen në popull dhe e bëri zakon nënshtrimin permanent përpara komandave, që vinin nga lart me efekt vertikal, duke pasur në mes përcjellës aq cilësorë sa, thuajse komanda dhe veprimi ishin të njëkohshëm. Kësisoj, ndoshta vetë populli mbetej i prirë për të qenë në një marrëdhënie tipike varësie, duke reaguar i disiplinuar si në ushtri ndaj ftesës së pushtetarëve të një sistemi tashmë të ri për ne, ftesë që gati-gati merrte tiparet e urdhrit, gjë e cila shpesh lindte militantë. Sigurisht që dhe politikëbërësit e rinj apo thuajse të rinj të pas viteve ‘90 e kishin këtë perceptim a dijeni dhe e administruan këtë akses të vetin, duke iu gëzuar kostumit të pushtetit dhe duke u ndier të lartësuar përtej së imagjinueshmes, pasi populli kudo ku ishin i respektonte dhe i ndiqte me sy si shpëtimtarë, sikur të dyja palët të vinin nga dy botë të ndryshme. Patjetër që ky lartësim vinte më së shumti prej shpresës, shpresës tek një e ardhme më e mirë, e cila më së pari varej prej mënyrës se si do të qeverisej vendi.

Kësisoj ndjekja me sy e “shpresëdhënësve” u bë gati instiktive për një popull të tërë. Nëse do ta zgjeronim objektivin e vështrimit tonë, do pikasnim lehtësisht vëmendjen dhe interesimin e popullit për qeverisjen, gjë që në kuptimin fizik dhe metaforik, do nënkuptonte ndjekjen me sy të subjektit fitues. Pra, kur në pushtet erdhi e djathta, populli kultivoi shpresën dhe mbeti me kokën andej, djathtas, nga ku vinte era e besimit, ëndrrave të brishta, të denja për një sistem të ri tashmë. Po ashtu, kur fituese doli e majta, thuajse me shpejtësi instinkti, populli vijoi të shpresonte po aq, me kokën majtas këtë radhë.

Kjo lëvizje e kokës majtas-djathtas, diktuar nga shpresa për një jetë më të mirë, duke pasur si objekt shigjetimi me sy fituesin e radhës, nuk kishte si indikacion vetëm atë çka ndodhte në pushtetin qendror, por stimulohej kështu dhe nga rezultati i zgjedhjeve lokale. Pra, kahja e vështrimit të popullit ndërrohej sa herë kish ndërrim pushteti, qoftë në nivel qendror, qoftë në atë lokal. Kësisoj, ajo çka sollën si rezultat dy dekada, bënë që populli të kishte ndjesinë e lodhjes me gjimnastikën e kokës majtas-djathtas dhe ndoshta një pjesë e mirë e tij tentoi ta kërkonte gjetkë shpresën për më mirë: tek e mbinatyrshmja, tek fati.

Pikërisht, një shpresë e tillë do stimulonte një lëvizje të kokës lart, tek qiellorja, e cila në realitet do bënte të lulëzonte biznesi i fallxhoreve, lojërave të fatit, qofshin ato bingo, baste sportive, kazino e shfaqje të tjera kumari, të cilat kanë lënë dhe vijojnë të lënë gjurmë në shoqërinë tonë. Duhet thënë që rendja dhe vëmendja tek dimensioni i sipërpërmendur i fatit, i ndërgjegjëson provuesit e vet, por kjo, pasi më parë u ka lënë sëmundjen e vesit, ves, i cili për nga përmasat e sotme, mund të themi që e ka kapur fort shoqërinë, popullin.

E kështu, personazhi “popull” mund të perceptohet si një person, i cili priti t’i vinte e mira që shpresonte nga e djathta, por nuk i erdhi; po kaq pritshmëri krijoi dhe shpresoi me kokën majtas, sërish s’ishte e thënë t’i vinte; provoi dhe me sytë nga qielli, por asgjë s’ra dhe prej andej. Tanimë, pas provës së fundit, duke qenë dhe i ndërgjegjshëm për pjesën e vesit, populli sikur e ka ulur kokën. Kjo lëvizje fizike në drejtim të kundërt me atë pararendëse, ndoshta lindi si nevojë për pak çlodhje, gjë, për të cilën ka nevojë ai që ndihet i lodhur. Ose, ndoshta ky pozicionim me kokën poshtë kërkon që të theksojë më tepër tiparet e atij që përtyp mendime apo që është duke menduar thellë këtë radhë. Por, ndoshta kjo mund të jetë dhe poza e atij që nis të tymosë një cigare, pasi ka marrë një vendim të rëndësishëm.

Gjithsesi, le të shpresojmë që koha e mendimeve të thella apo e nevojës për çlodhje, të jetë në limitet e veta dhe të jemi në prag të një këndvështrimi të ri, ku populli të shohë drejt, përpara, pa qenë i detyruar të bëjë sërish gjimnastikën që e lodh!

(Marrë nga: Shqip)
 

Exit mobile version