Gjilani është mposhtur në vazhdime me rezultat 2-0 nga APOEL-i i Nicosias së Qipros në ndeshjen e turit të para kualifikues të Ligës së Evropës, pasi loja e rregullt u mbyll me rezultat 0-0.
Nën-kampioni i Kosovës u tregua thuajse i barabartë me klubin e njohur qipriot në një përballje e cila fituesin e dha vetëm pas 120 minutave lojë.
Ekipi i trajnerit Gentjan Mezani ishte superior në 90 minutat e rregullt duke i mbyllur i barabartë, por u tregua i pafat në vazhdime, ku ndikoi edhe lodhja.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, të cilët patën më shumë raste për gol.
Megjithatë, portieri Enea Koliçi u tregua vendimtar me disa pritje bravuroze duke mbajtur portën e paprekur dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola.
Në pjesën e dytë, përsëri APOEL-i ishte për një nuancë më i mirë, por edhe me Gjilanin që pati rastet e veta dhe kohë pas kohe menaxhoi ndeshjen.
Kjo pjesë në fillim i takoi ‘Skifetrave’ të cilët patën një dominim të lehtë, por në pjesën e dytë të kësaj ndeshje u akordua një penallti e dyshimtë për APOEL-in.
Ishte minuta e 78-t e ndeshjes, kur Moussa Suleimani u tregua i pasaktë nga pika e bardhë dhe deri në fund më nuk pati ndonjë ndryshim dhe skuadrat mbyllen lojën e rregullt me rezultat 0-0 dhe shkuan në vazhdime.
Në vazhdime doli në pah përvoja dhe përgatitja e mysafirëve, të cilët e shfrytëzuan mirë këtë dhe gjetën nga një gol në secilin 15 minutësh.
Goli i parë erdhi në minutën e 102-të me anë të Georgios Efrem, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Dieumerci Ndongala (116’) vulosi rezultatin përfundimtar dhe fitoren APOEL-it me rezultat 0-2. /Telegrafi/