Liria ka arritur të nxjerr një pikë në udhëtim kundër Gjilanit pasi barazoi pa gola 0-0.
Por, rezultati ka rënë në plan të dytë pas ngjarjeve që u zhvilluan në fushë dhe jashtë saj.
Zyrtarët e Lirisë akuzojnë vendasit se nuk u treguan mikpritës pasi që përveç që pësoi një lëndim të rëndë Albin Memaj, i cili u dërgua me urgjencë në spitalin e qytetit, tifozët hidhnin gjësende në drejtim të lojtarëve dhe bankës rezervë të ‘Arpagjik-ve’.
Gjithashtu bardhezinjtë akuzojnë edhe gjyqtarët e takimit, të cilët ranë nën presionin e vendasve dhe kjo u reflektua në vendime skandaloze të tyre.
Për më tepër lexoni komunikatën e Lirisë
Loja ka qenë shumë e tensionuar tërë kohën si pasojë e presionit të vendësve. Ndërkaq, publiku ka qenë poashtu agresiv duke fyer e kërcënuar futbollistët dhe pankinën prizrenase.
Në minutën e 20, Gëzim Rusi i vendasve qëlloi më grusht, Albin Memajn e Lirisë pas së cilës pati një ndërprerje 7-të minutëshe, derisa u përjashtua Rusi. Memaj u bartë me autoambulancë në Spitalin e Gjilanit. Ai, pësoi një lëndim në syrin e djathtë. Mesfushori me gjasë ka lëndim serioz ngase në ORL-në e Gjilanit ai ndodhet ende për trajtim mjekësor.
Pas kësaj presioni i vendasve shtohet edhe më shumë. Në këtë situatë referët, sidomos i katërti , Mentor Baliu bie nën ndikim, dhe për çudi, pa të drejtë ndëshkon me të kuq Fisnik Ramadanajn (ishte rezervë) dhe trajnerin ndihmës, Bekim Bakaj , e largon nga banka.
Pjesa e parë vazhdon për 7 minuta !!!
Pjesa e dytë njëjtë vazhdon me agresivitet dhe sjellje të ashpra, e sidomos fyerjet e kërcënimet nga tribunat drejtuar pankinës së Lirisë. Por, fatmirësisht kjo menaxhohej disi, duke mos rënë në provokime.
Pas përfundimit të ndeshjes, pati një tentim sulmi ndaj Ramadan Kryeziut dhe Robert Gjerajt, me mjet të fortë, por më e keqja u shmang. Fare në fund, kur ndeshja kishte përfunduar, tifozë që ishin jashtë rrethojave të stadiumit, hodhën gurë e gjësende të forta drejt autobusit të Lirisë, parkuar prapa portës. Fatmirësisht policia reagoi shpejt, dhe autobusi pati një thyerje të farit dhe disa gërvishtje në llamarinë.
Habiti sjellja e zyrtarëve gjilanas, që ishte tejet jo korrekte.
Pas përfundimit të ndeshjes, policia e ka përcjellur KF ‘Liria’, deri në dalje të Gjilanit, për çka klubi i është mirënjohës.