Hoti dhe Haziri kanë bashkëbiseduar për jetën dhe organizimin kulturor në këtë komunë, sikundër që kanë folur edhe për investimet e MKRS-së, mbrojtjen dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe promovimin e tyre.
Hoti tha se Gjilani së bashku me Prizrenin kanë një qytetari dhe kulturë të veçantë që kulmon me shumë vlera të trashëgimisë kulturore e historike të gërshetuara në diversitetin kulturor.
Kurse, i pari i Gjilanit, ka treguar disa nga problemet kulturore të komunës që e udhëheq duke kërkuar ndihmë nga MKRS-ja.
Hoti, së bashku me kryetarin Haziri, pas takimit vizituan objektet e trashëgimisë kulturore në Gjilan, të cilat janë nën përkujdesjen e MKRS-së, siç është Muzeu i Qytetit dhe Shkolla e Muzikës.
Ata vizituan edhe Atik Xhaminë, ku Haziri deklaroi se gjatë vitit të ardhshëm është propozuar që të bëhet renovimi dhe mirëmbajtja e saj, sepse xhami e këtillë ndodhet vetëm në Ohër, që si ndërtim korrespondon me vlera fetare dhe kombëtare. /Telegrafi/