Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit ka nisur fushatën kundër ndezjes së zjarreve fushore dhe zjarreve të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për qytetarët dhe ekonomitë familjare me moton “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”.
DMSH apelon qytetarët që të kenë kujdes gjatë manipulimit me pajisje dhe lëndë që shkaktojnë zjarre dhe të mos ndezin zjarr në hapësirat në të cilat mund të del jashtë kontrollit.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, ka informuar se inspektorët e preventivës nga zjarri si dhe Policia e Kosovës do të jenë në terren për të identifikuar çdo përhapje të zjarrit dhe shkaktarët e përhapjes.
Gjithashtu, kjo drejtori ju përkujton qytetarëve se Kodi penal i Republikës së Kosovës, neni 365, sanksionon me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, të gjithë ata që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes ndezjes së zjarreve.
Drejtoria për Emergjenca kërkon nga qytetarët që ta ruajnë ambientin dhe pasurinë e Kosovës duke mos ndezur zjarr dhe duke denoncuar ata që ndezin.
Për çdo eventualitet, qytetarët mund të telefonojnë në numrat pa pagesë, 193 dhe 112. /Telegrafi/